Dëme në Zgreb e Petrinjë.  Një viktimë, 60 të plagosur

Banorët kanë përjetuar momente dramatike të shembjes së disa ndërtesave të vjetra në qendër të qytezës së Petrinjës, e cila ishte epiqendra e tërmetit të fuqishëm të magnitudës 6.4 të shkallës Rihter që goditi rreth mesditës Kroacinë qendrore.

Një vajzë e vogël që ishte shtruar në spitalin e qytezës së Shishakut që ndodhet jo shumë larg epiqendrës humbi jetën nga shkatërrimi i plotë ndërtesës. Deri më tani flitet për 60 të lënduar, teksa lëkundjet janë ndjerë në një rreze të gjerë deri në brigjet e veriut të Italisë në Adriatik.

Banorët e qytezave pranë epiqendrës ku lëkundjet u ndjenë më shumë, braktisën banesat dhe u dyndën nëpër rrugë. Ekipet e emergjencës zbritën menjëherë në terren për të nxjerrë nga rrënojat personat e bllokuar. Në ndihmë të tyre u angazhuan rreth 300 trupa ushtarake.

Ndërtesa të dëmtuara ka edhe në kryeqytetin Zagreb, ku dëme ka pasur edhe në ndërtesat qeveritare si ministria e mbrojtjes. Sapo ndjenë lëkundjet, deputetët ndërprenë seancën dhe braktisën sallën e parlamentit.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura. Komisioni Evropian premtoi ndihma të menjëhershme për banorët e dëmtuar dhe qeverinë kroate për kapërcimin e kësaj situate emergjente. Centrali bërthamor në Krshko të Sllovenisë u mbyll si masë paraprake nga rreziku i dëmtimeve nga lëkundjet.

Një tjetër tërmet me magnitudë më të lehtë kishte epiqendrën në të njëjtin vend dhe shkaktoi dëme në disa ndërtesa.

Në muajin mars, Zagrebi u trondit nga një tjetër tërmet i fuqishëm 5.3 i shkallës  Rihter shkaktoi dëme të konsiderueshme, i mori jetën një personi dhe lëndoi 27 të tjerë.

Tv Klan