Në Hamallaj të Durrësit janë të dukshme pasojat që la tërmeti i paradites. Mure të plasaritura dhe të çara nga lëkundjet e forta që përjetoi e gjithë zona. Banorët e krahasojnë me tërmetin e vitit 1972 dhe tregojnë se të frikësuar dolën nga banesat.

“Lëkundej tavolina… U kam thënë mos lëvizni, vetëm mos lëvizni. I kisha kapur vajzat përdore edhe u thoja mos lëvizni”

, rrëfen një banore.

Sipas Institutit të Sizmiologjisë, tërmeti ishte me epiqendër pranë Gjirit të Lalëzit në Durrës. Ishte me magnitudë 5.1 të shkallës Rihter dhe kishte një fortësi mbi 6 ballë.

Këto janë momentet e tërmetit që tronditi thuajse gjithë Shqipërinë në orën 11 e 01 minutë të kësaj të mërkure. Për pak minuta komisionet parlamentare ndërprenë mbledhjet dhe deputetët dolën jashtë. Pak metra më tej, edhe kabineti qeveritar është gjetur brenda godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohej mbledhja e përjavshme.

Ndjeshmëria e tërmetit ka qenë e lartë, duke shkaktuar panik në kryeqytet. Të shumtë ishin qytetarët që lanë banesat dhe zyrat dhe dolën në rrugë. Linjat e kompanive celulare u bllokuan, duke shkaktuar probleme në komunikim.

Ekspertët thonë se paslëkundjet do të vijojnë deri në qetësimin e pllakave tektonike.

“Ka qenë në orën 11 e 1 minutë me orën lokale. Është lokalizuar në zonën e Gjirit të Lalëzit, me magnitudë 5.1, që nëse e konverton në ballë, i bie 6 ballë.”

Termeti konsiderohet i fortë nga sizmiologët. Ai është pasur me mbi 40 lëkundje të tjera, disa prej tyre më të forta.

“Çdo tërmet, aq më tepër i kësaj kategorie, shoqërohet gjithmonë me pasgoditje, kështu që aktiviteti sizmik do të vazhdojë. Ky është tërmet që futet tek tërmetet prag të fortë”.

Për fat, tërmeti ka shkaktuar vetëm panik dhe disa dëme të pakta materiale. Disa banesa kanë pësuar çarje të mureve edhe në Elbasan, por nuk pati të lënduar. Raportohet se lëkundjet janë ndjerë deri në Kosovë.

Tv Klan