Më shumë se 4300 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 19 mijë të tjerë të plagosur në Turqi dhe Siri, pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë jugore orët e para të së hënës.

Tërmeti, një prej më të fortëve që godet rajonin në më shumë se 100 vjet, ra 23 kilometra nga lindja e Nurdagi, në provincën e Gaziantep, me një thellësi prej 24.1 kilometrash, tha Qendra Sizmologjike Amerikane.

Numri i të vrarëve në Turqi është të paktën 2,921, ndërsa më shumë se 15,834 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në Siri, deri më tani raportohet të paktën 1,451 të vrarë dhe mbi 3531 të plagosur. Pjesa më e madhe e viktimave janë nga rajoni i Aleppo-s, Hama, Latakia dhe Tartus.

Ndërkohë në orën 13:24, me orën lokale, u regjistrua një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 7.5 të shkallës Rihter në Turqinë Qendrore.

Autoritetet thonë se po luftojnë me kohën për të shpëtuar personat e zënë nën rrënoja, pasi me qindra banesa u shemben në të dyja vendet.

Me miliona persona në Turqi, Siri, Liban, Qipro e Izrael e ndjenë tërmetin e fortë, që u pasua nga qindra paslëkundje të tjera.

Ora 23:57Edhe “armiqtë” solidarizohen me Turqinë

Seria e tërmeteve shkatërrimtare që goditën Turqinë këtë të hënë ka lënë në plan të dytë për momentin hasmëritë mes fqinjësh.

Pavarësisht tensioneve të larta politike të viteve të fundit, Greqia ishte ndër vendet e para që nisi drejt Turqisë një kontigjent prej 21 trupash të ekipeve të emergjencës dhe mjete logjistike për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në juglindje të Turqisë.

I gatshëm për të ndihmuar vendin mik që ka ndërmjetësuar për uljen e tensioneve me Rusinë, u shpreh edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, ndonse në kushte jo shumë të favorshme.

4 avionë me ndihma për trupat e emergjencës dërgoi Rusia, ku përfshihen një ekip prej 40 ekspertësh dhe 7 ekipe qensh për zbulimin e trupave nën rrënoja.

Ndihma dërgoi jo vetëm qeveria gjermane por edhe komuniteti i madh turk që jeton në këtë vend. Të gatshëm për ndihmë edhe italianët, francezët, amerikanët dhe gjithë aleatët e NATO-s.

Ora 22:57 – Ndodhet në shtëpinë e çdo qytetari turk, çfarë ka në ‘çantën e tërmetit?’

Një nga faktet e habitshme që u tha në “Opinion” në Tv Klan lidhur me tërmetet në Turqi është se populli është i edukuar dhe i trajnuar për të përballuar situata të tilla. Sezer Arslan, parukieri i njohur turk tha se në shtëpinë e secilit qytetar turk ka një çantë tërmeti me disa sende të nevojshme.

Sezer Arslan: Çanta, gjërat më të rëndësishme që ka brenda është bilbili…

Blendi Fevziu: Bilbil? Që nëse ti mbetesh nën rrënoja, të kesh mundësi për t’i rënë bilbilit dhe të identifkohesh.

Sezer Arslan: Bilbili dhe diçka tjetër, që të dyja janë si më të rëndësishme, drita.

Blendi Fevziu: Ju keni një çantë me bilbil, me dritë.

Sezer Arslan: Drita dhe duhet të ketë bateri.

Ermal Kaleci: Sapo hyra në faqen e Emergjencave Civile dhe duhet të ketë ushqime me kalori të lartë, vitamina për karbohidrate që përmbajnë ujë për humbjen e ujërave, fruta të thata, bilbil dhe elektrik dore.

Ora 22:57 – Sezer: Ka më shumë se 2 muaj që japin një alarm për tërmetin në Turqi

Sezer Arslan, parukieri turk që ka aktivitetin e tij në Tiranë është shprehur se ka mbi 2 muaj që është paralajmëruar për një tërmet të fuqishëm në Turqi.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sezet Arslan thotë se ka qenë një paralajmërim i hershëm mbi rrezikun e një tërmeti në Turqi.

Prof. Asoc. Dr, Klodian Skrame: Ka rënë një tërmet i cili nuk u priste në atë zonë me atë magnitudë aq të lartë dhe as kushtet vetë në Turqi nuk janë të përgatitura për të.

Sezer Arslan: Ka më shumë se 2 muaj që japin një alarm për tërmetin që të përgatitemi për tërmetin, kështu që ka qenë një paralajmërim i hershëm.

Prof. Asoc. Dr, Klodian Skrame: Faktikisht ato kanë që në 1999-ën që përgatiten ndaj tërmetit. Ato brenda 3-4 viteve ndryshuan kushtet teknike dhe pastaj filluan të ndërtonin me kushtet evropiane. Filluan planet e emergjencës dhe mbrojtjes civile.

Ora 22:57 – “Dy shqiptare të martuara me shtetas turq ndodhen në zonën e tërmetit”, Kaleci: Janë vendosur në çadra

Ermal Kaleci, ish-konsulli i Shqipërisë në Stamboll, i ftuar sonte në “Opinion” në Tv Klan thotë se në zonën ku ka ndodhur tërmeti nuk ka komunitet shqiptar. Dy shtetase shqiptare që janë të martuara me shtetas turq janë prekur, por ndërkohë kanë marrë të gjithë ndihmën e nevojshme.

Ermal Kaleci: Në atë zonë nuk kemi komunitet shqiptar. Mund të kemi shtetas ose shtetase shqiptare që janë martuar me shtetas turq dhe mua më rezulton dy shtetase shqiptare.

Blendi Fevziu: Dy shtetase shqiptare të martuara me shtetas turq që ndodhen në atë zonë?

Ermal Kaleci: Po. Iu është dhënë ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme jona dhe ambasada atje. Janë komunikuar, janë vendosur në çadra sepse ndërtesa e tyre është prishur siç janë prishur në gjithë vendet. Ministria e Jashtme është në komunikim të vazhdueshëm edhe nëpërmjet ambasadës, edhe nëpërmjet konsullatës.

Blendi Fevziu: Për momentin janë sistemuar në çadra.

Ermal Kaleci: Tani sapo më erdhi një informacion tjetër. Mbi 10 mijë punonjës aktualisht po punojnë.

Blendi Fevziu: Punonjës kërkimi apo…?

Ermal Kaleci: Punonjës kërkimi. Siç e dini edhe ju qeveria shqiptare sapo ka dërguar sot në linjë ajrore edhe 53 punonjës shpëtimi dhe mjekësorë.

Blendi Fevziu: Kanë shkuar drejtpërdrejt atje?

Ermal Kaleci: Drejtpërdrejt në qytetin e Adanas do venë. Knë nisur edhe ndihma në rrugë tokësore.

Ora 22:27 – Tërmeti në Turqi, Ejupi për “Opinion”: Në atë zonë ka mbi 90 koka bërthamore të SHBA

Adulvehap Ejupi, redaktor në TRT World në Turqi, ka dhënë detaje të tjera pas tërmetit që goditi vendin mëngjesin e së hënës. Ejupi tha për emisionin “Opinion” se zona ku goditi tërmeti është qendër sizmike, por edhe gjeopolitike. Atje janë vendosur mbi 90 koka bërthamore të SHBA-së në kuadër të NATO-s.

“Duhet të kemi parasysh që ajo zonë përveçse është zona më pak e zhvilluar dhe është zona e qendrave të mëdha ushtarake jo vetëm e Turqisë, por edhe NATO-s. Mbi 90 koka bërthamore të SHBA janë të vendosura në atë zonë në kuadër të NATO. Nuk është vetëm qendër sizmike, por edhe gjeopolitike, e cila ka kapacitet të rëndësishëm. Është zona me më pak investime. Është atje ku lufta e Sirisë vazhdon, por ofensivat e SHBA dhe të NATO, vazhdimisht zhvillohen”, u shpreh Ejupi.

Gazetari u shpreh se në total janë 11 zona të prekura nga tërmeti. Ai theksoi se edhe moti është problematik në këtë kohë.

“Përveç borës së madhe dhe shiut të fuqishëm, edhe era të fuqishme, është e tillë që bashkë me tërmetin vërtetë përbën një vështirësi të jashtëzakonshme dhe përbën skena apokaliptike”.  

Sipas Ejupit, deri më tani ka 2416 viktima vetëm në Turqi dhe 1300 në Sirinë e Veriut.

Numri i të lënduarve është mbi 13 mijë, dhe dhjetëra mijëra qëndrojnë brenda gërmadhave”, u shpreh ai.

Sipas redaktorit të TRT World, Turqia i ka kapacitetet për të përballuar situata të tilla, por tërmeti është i përmasave të tilla ku janë prekur mbi 12 milionë banorë.

“Ajo zona, 11 provincat e prekura nga tërmeti përafërsisht ka 12 milionë banorë dhe është jashtëzakonisht e vështirë që të merren nën kontroll që të gjithë. Që të gjithë kanë të paktën 1 anëtar poshtë gërmadhave, apo kanë anëtarë të familjes, miq apo shokë dhe e bën gjendjen edhe më kaotike dhe më të vështirë”, tha ai.

Ora 22:27 – “Nuk ka shqiptarë të prekur nga tërmeti”, ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Sot kemi ndjekur vetëm një rast…

Kastriot Robo, ambasadori i Shqipërisë në Turqi thotë se i vetmi rast që është ndjekur nga ambasada përsa i përket shtetasve shqiptarë në atë zonë është humbja e lidhjeve e familjarëve me njerëzit e tyre në një zonë të Turqisë.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opionion” në Tv Klan, ambasadori Robo thotë se ambasada mundësoi komunikimin e familjarëve në zonën e Atajit dhe çdo gjë është në rregull teksa shton se nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë të prekur nga tërmeti.

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Goditja e mesditës u ndje më shumë. Ajo e orës 4 e 17 minuta. Në njëfarë mënyre terrorizoi qytetarët e Ankarasë që sigurisht që e ndjenë dhe u terrorizuan nga ajo goditje. Ka një shpërndarje të frikës, por çdo gjë është e përqëndruar në 10 qytete që janë të prekur nga tërmeti.

Blendi Fevziu: A ka të dhëna për qytetarë shqiptarë që të kenë pasur probleme, a ka shumë qytetarë shqiptarë në këtë zonë sepse dëgjova që 2 shqiptare të Maqedonisë së Veriut ishin plagosur nga tërmeti, po shtetas shqiptarë, a ka pasur të dëmtuar?

Kastriot Robo – Ambasador i Shqipërisë në Turqi: Fatmirësisht nuk na rezulton që ka shtetas shqiptarë të prekur nga tërmeti. Ne sot kemi ndjekur vetëm një rast si ambasadë ku familjarët në Shqipëri kishin humbur lidhjet me njerëzit e tyre në qytetin e Atajit. Kjo ndoshta dhe për shkak të ndërprerjes së mundësisë së komunikimit mes tyre dhe pasdite mundësuam lidhjen dhe komunikimin me familjen shqiptare në zonën e Atajit dhe çdo gjë është në rregull.

Ora 22:27 – “Familja e xhaxhait tim ka mbetur nën rrënoja”, Sezer: Nga mëngjesi e deri tani nuk kanë dalë ende

Sezer Arslan, parukieri turk që ka aktivitetin e tij në Tiranë është sonte i ftuar në “Opinion” në Tv Klan për të folur mbi përjetimin e tij për tërmetin në Turqi. Familja e Sezer ndodhet në Dijarbakër, një prej qyteteve të prekura rëndë nga lëkundjet e forta. Sezer shpjegon se familja e xhaxhait të tij, e cila jetonte në katin e 8 të një pallati, ka mbetur nën rrënoja dhe nuk ka asnjë komunikim me ta.

Sezer Arslan: Familja ime nga ana e babait tim, xhaxhai im, 5 veta, kanë ngelur akoma nën rrënoja.

Blendi Fevziu: Janë nën gërmadha? Familja e xhaxhait?

Sezer Arslan: Po.

Blendi Fevziu: Gjithë familja e xhaxhait? Ku banonte familja e xhaxhait?

Sezer Arslan: Po. Në Dijarbakër.

Blendi Fevziu: Në banesë, pallat, shtëpi?

Sezer Arslan: Në katin e tetë. U prish pallati, në mëngjes në orën 04:50 e deri tani akoma nuk kanë dalë.

Blendi Fevziu: Keni komunikim nga brenda apo ata nuk kanë as…?

Sezer Arslan: Komunikim me babin tim, komunikim me çunin e xhaxhait tim, maksimumi që mund të flas, nuk kanë bërë asgjë, po mundohen sepse jo vetëm ai pallat por gjithandej ka viktima.

Blendi Fevziu: Pra forcat e shpëtimit janë të shpërndara në gjithë qytetin.

Sezer Arslan: Deri tani, asgjë.

Blendi Fevziu: Pothuajse kanë kaluar 18 orë, diçka më shumë dhe ata janë akoma nën rrënoja për momentin. Komunikim nga brenda me ta nuk ka, nuk ka asnjë mundësi të flitet, nëse kanë ndonjë celular me vete, ndonjë gjë?

Sezer Arslan: Jo. disa më thanë që nuk përgjigjen, disa thanë që është mbyllur telefoni, nuk përgjigjen. Deri tani asgjë.

Blendi Fevziu: Kur ishte komunikimi i fundit?

Sezer Arslan: Komunikimi i fundit ishte në orën 6 pasdite.

Sezer thotë se familjarët e tij janë të mërzitur e të depresionuar, por ndërkohë ka edhe një tjetër shqetësim.

Sezer Arslan: Familja e nuses e miqtë e mi, mbi 12 ose 13 vetë jetonin të gjithë në një pallat. Edhe ato kanë ngelur, vetëm 4 prej tyre kanë nxjerrë deri më tani, të tjerët akoma.

Ora 22:26 – Vullnetari i “Helmetave të Bardha” në Siri flet për “Opinion”: Mbi 200 familje ndodhen nën rrënoja

Ammar Alselmo, vullnetar i “Helmetave të Bardha” në Siri ka treguar gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë për emisionin “Opinion” se mendohet se ka mbi 200 familje që kanë mbetur nën rrënoja si pasojë e tërmetit që goditi vendin. Alselmo u shpreh se operacioni i kërkim-shpëtimit është ende në vijim.

“Flitet se ka më shumë se 200 familje. Ne nuk kemi numër të saktë. Askush nuk ka numër të saktë të shifrave. Mund t’ju them më shumë se 200. Kemi burime dhe po përpiqemi të zbulojmë cila është shifra e saktë ndërkohë që operacioni i shpëtimit është ende në vijim”, tha Alselmo.

Vullnetari sirian tregoi për gazetarin Blendi Fevziu që njerëzit tashmë ndodhen në rrugë. Edhe ata që janë nxjerrë nga rrënojat janë në rrugë, sipas tij, dhe u shpreh se Aleppo ka nevojë për mbështetje.  

“Njerëzit tanimë ndodhen në rrugë. Edhe ata që mbijetuan nga tërmeti ndodhen jashtë rrugëve. Kanë nevojë për medikamente, kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për strehim. Ka persona të tjerë që janë duke qëndruar në gjendje të mjerueshme aty. Njerëzit kanë nevojë për ndihmë dhe është çështje jetë a vdekje. Përpiqemi ti nxjerrim njerëzit të gjallë nga rrënojat, megjithatë ka nevojë për mbështetje edhe pas kësaj faze”, u shpreh Alselmo.  

Alselmo tregoi më tej se në Aleppo nuk ka një mbulim mediatik të madh dhe gjithashtu përbëhet nga një infrastrukturë e dobët.

“Zona ku po flasim ne tani nuk ka një mbulim mediatik të madh dhe gjithashtu përbëhet nga një infrastrukturë e dobët e dëmtuar nga tërmeti. Megjithatë që nga mëngjesi ekipi jonë ka ikur në zonë për të dërguar ndihmë dhe për të shpëtuar njerëz që kanë mbetur në rrënoja. Më shumë 800 viktima janë raportuar deri më tani ndërkohë mbi 2 mijë perona janë dëmtuar. Numrat janë rritur. Më shumë se 300 ndërtesa janë rrënuar totalisht, 600 janë dëmtuar pjesërisht”, tha Alselmo.

Ora 22:07 –Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë: Çfarë dimë deri më tani

Një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë në orët e para të mëngjesit të së hënës. Dridhjet e tokës, me magnitudë prej 7.8 të shkallës Rihter, shkaktuan shembjen e mijëra ndërtesave në Turqi dhe Siri, dy shtetet më të prekura. Ky tërmet u pasua disa orë më vonë nga një tjetër me magnitudë 7.5 i shkallës Rihter. Për pasojë, dëmet janë të shumta. Mbi 2,600 persona kanë humbur jetën ndërsa mbi 12 mijë të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Cila ishte epiqendra e tërmetit

Epiqendra e tërmetit me magnitudë 7.8 mëngjesin e së hënës në Turqi ishte 23 kilometra në perëndim të Nurdagit, një qytet në provincën e Gaziantepit. Duke patur parasysh edhe afërsinë me epiqendrën e tërmetit, Nurdagi është një nga qytetet më të prekura. Atje banojnë mbi 40 mijë banorë. Por epiqendra e tërmetit ishte edhe pranë një qyteti të rëndësishëm turk si Gaziantepi. Atje banojnë mbi 2 milionë banorë. Autoritetet atje kanë raportuar për dëme të mëdha në njerëz dhe ndërtesa.

Pasojat në Gaziantep

Nëntë orë më vonë, në Elbistan, ndodhi një tërmet tjetër, kësaj here me magnitudë 7.5. Elbistani është një qytet me mbi 140 mijë banorë dhe shtrihet në Provincën e Kahramanmaraş. Si pasojë e dridhjeve të forta të tokës aty janë shkatërruar ndërtesa të shumta. Për pasojë qindra mijëra njerëz kanë mbetur nën rrënoja. Trupat e kërkim-shpëtimit po luftojnë me kohën për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish. Epiqendra e këtyre tërmeteve është në Turqinë jugore, mbi 600 kilometra larg nga Ankaraja dhe mbi 1 mijë kilometra nga Stambolli. Në kryeqytetin turk nuk raportohet për problematika.

Pasojat e tërmetit në Elbistan

Shtetet që ndjenë tërmetin

Dy tërmetet e forta goditën më shumë Turqinë dhe Sirinë, por u ndjenë edhe në disa vende të tjera. Raportohet se tërmeti i mëngjesit, pra ai në Nurdagi, u ndje deri në Liban dhe Izrael.

Cilat janë provincat e prekura në Turqi

Pasojat e tërmetit janë të shumta në Turqi. Provincat më të prekura janë Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya. Në këto provinca u raportua për viktima dhe të plagosur. Ndërkohë në Osmaniye, Hatay dhe Kilis u raportua vetëm për të plagosur dhe jo viktima.

Qytetet e prekura në Siri

Siria, e cila është në kufi me Turqinë, është prekur rëndë nga tërmeti. Aty raportohen qindra viktima dhe siç shprehen autoritetet, numri pritet të shtohet për shkak se shumë njerëz kanë mbetur në rrënoja. Qytetet më të prekura në Siri janë Aleppo, Latakia, Tartous dhe Hama.

Zonat e prekura nga tërmeti në Siri

Shtetet që po ndihmojnë

Janë të shumta shtetet që po ndihmojnë Turqinë në këtë rast emergjence. Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Shqipëria nisi një mision solidariteti kërkim-shpëtimi për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve në Turqi. Por ndihmë po ofrojnë edhe SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Bashkimi Europian, Kina, Italia, Greqia, Polonia, Japonia, Izraeli, Rusia, Spanja, Ukraina, Tajvani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Irani dhe India. /tvklan.al

Ora 22:00 – “Më trego dorën, do të të shpëtojmë”, thirrja dëshpëruese e një babai drejtuar të birit nën rrënoja pas tërmetit

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi Sirinë Jugore ka qenë fatal për mijëra vetë.

Njerëz të bllokuar nën rrënoja që thërrasin për ndihmë, kanë qenë këto disa nga pamjet tronditëse të cilat kanë ardhur nga Siria dhe Turqia ditën e sotme.

Prestigjiozia “Al Jazzera” ka publikuar videon e një gruaje që filmoi veten të bllokuar nën rrënojat e tërmetit, të cilën ia dërgoi motrës së saj.

“Motër, ne jemi në një situatë shumë të keqe. Shiko tavanin sipër nesh. Tubacionet janë sipër nesh, çdo gjë është sipër nesh”, dëgjohet të thotë ajo në video.

“Al Jazzera” ka publikuar po ashtu edhe videon e një babai që i thërriste djalit të tij nën rrënoja.

“Më trego dorën, ne do të të shpëtojmë ty. Rri aty bir. A je mirë? Qëndro aty bir, ne do të të nxjerrim nga aty”, i thotë babai të birit.

Ora 21:35“12 familje janë bllokuar, nuk ka dalë asnjë! Po gërmojmë me duar që prej mëngjesit…” | Video

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë që prej orëve të para të mëngjesit edhe në Siri. Raportohet për qindra viktima, ndërsa të tjerë kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Reuters ka siguruar pamjet të Helmetave të Bardha që përpiqen të gjejnë persona nën rrënoja. Ndërkohë një person është shprehur se në një ndërtesë kanë mbetur të bllokuar 12 familje, por nuk është nxjerrë asnjëra.

“Janë 12 familje të bllokuara këtu dhe nuk ka dalë asnjë. Janë të gjithë brenda. Deri më tani askush nuk ka ardhur t’i shohë ku janë këta njerëz. Këtu nuk ka mbrojtje civile. Kemi gërmuar me duar që prej orës 3 të mëngjesit”, u shpreh një person.

Tërmeti i cili goditi Turqinë mëngjesin e së hënës, epiqendrën e kishte shumë pranë kufirit me Sirinë dhe për pasojë edhe aty pasojat janë shumë të mëdha.

Ora 21:35“Të lutem kujdesu për veten”, turqit në garë me kohën për të shpëtuar sa më shumë njerëz

Në Turqi dhe Siri numërohet çdo minutë që kalon për të shpëtuar çdo jetë që munden e që kanë mbetur nën rrënoja.

Reuters ka publikuar videon e një personi në një qytet në Turqi, i cili i flet një të mbijetuareje të bllokuar nga një ndërtesë e shkatërruar.

Siç duket në pamje, ai është shtrirë tërësisht për të arritur tek e mbijetuara, por nuk arrin dot që ta shohë tamam.

“Çfarë ngjyre ke veshur? Ke veshur ngjyrë rozë? Të lutem kujdesu për veten për momentin, nuk mund të shoh asgjë tjetër”, shprehet ai.

Tërmeti me epiqendër në Gaziantep zgjati rreth 1 minutë dhe ishte i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter. Për pasojë kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri mbi 2700 persona.

Dëmet e tjera janë të pallogaritshme. Ndërtesa të tëra janë shkatërruar plotësisht si pasojë e dridhjeve të tokës.

21:35 -“Prindërit u zgjuan të tmerruar, u përplasa në dysheme”, rrëfimi i gazetarit për përjetimin e tërmetit në Turqi

Rrëfimi i gazetarit të CNN, Eyad Kourdi për përjetimet e tij dhe të familjes gjatë tërmetit me magnitudë 7.8 në Gaziantep të Turqisë:

“Ishte ora 04:15 e mëngjesit kur prindërit e mi u zgjuan të tmerruar duke bërtitur, ndërsa toka u drodh poshtë nesh. Unë iu thashë atyre që të fshiheshin. ‘Do të mbarojë shpejt, do të mbarojë shpejt’, ju thoja aty edhe pse mua më dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Në fillim nuk isha shumë i shqetësuar. ‘Është thjesht një tjetër tërmet i vogël, si ato që ndjejmë çdo dy muaj këtu’, mendova. Por vetëm pak sekonda më vonë, lëkundjet u ndjenë aq shumë sa mobiljet po binin dhe unë mund të dëgjoja objektet duke u përplasur. Dukej sikur dikush po përpiqej të më rrëzonte dhe më pas u përplasa në dysheme nga lëkundjet. Dridhja vazhdoi. Kaluan shumç çaste para se të ndalonte përfundimisht.

Ne dolëm me vrap nga shtëpia, me pizhame dhe pantofla. Ishte i ftohtë shumë dhe binte shi. Kishte borë në tokë. E gjithë lagjja ishte në rrugë.

Njëzet minuta më vonë, ashtu siç menduam se mund të kishte mbaruar, erdhën pasgoditjet e para. I numërova, ishin 11, njëra pas tjetrës.

U ktheva me nxitim brenda për të kapur disa pallto dhe çizme të përshtatshme dhe hipëm në makinë për të lëvizur në një zonë të hapur, larg ndërtesave. Dëgjova ambulanca dhe kamionë zjarrfikës që po shkonin në qytetin e vjetër, i cili është plot me struktura më të vjetra dhe më të brishta.

Pasgoditjet vazhduan edhe gjatë ditës. Disa ishin jashtëzakonisht të fortë. Njëra goditi kur isha pranë një ndërtese të madhe të dëmtuar rëndë. Një zyrtar i mbrojtjes civile u tha të gjithëve që të vrapojnë.

Më vonë, shkova me makinë në Pazarcık, një qytet me 35,000 banorë që është më afër epiqendrës. Ka të paktën një ndërtesë të shkatërruar plotësisht në çdo rrugë.

Qëndrova në Pazarcık për 30 minuta dhe në atë kohë të shkurtër ndjeva katër pasgoditje. Nuk më dukej e sigurt të qëndroja, kështu që u ktheva me makinë në Gaziantep. Atëherë toka filloi të dridhej përsëri. Të gjithë dolën me vrap nga makinat e tyre. Lëkundjet ishin aq të forta sa mezi po qëndroja në këmbë.

Ne jemi të strehuar brenda një xhamie në Gaziantep ku është më e sigurtë se në shtëpinë tonë. Punonjësit e komunës kanë shpërndarë ujë, bukë dhe oriz të ngrohtë. E di që do të ishte më e sigurtë po të qëndronim jashtë në rast se do të ketë më shumë pasgoditje, por temperaturat janë shumë të ulëta dhe prindërit e mi nuk mund të qëndrojnë në ambient të hapur.”

19:10-Fotot para dhe pas: Xhamitë shkatërrohen nga tërmeti

Tërmeti i fuqishëm në Turqi ka shkaktuar vdekjen e qindra njerëzve dhe shkatërrimin e mijëra ndërtesave.

Dridhjeve të forta të tokës nuk u kanë shpëtuar as ndërtesat fetare. BBC ka shpërndarë fotot para dhe pas tërmetit të disa xhamive.

Siç duket nga fotot në Iskenderun një xhami është shkatërruar e tëra si pasojë e tërmetit. Edhe në Malatya ka mbetur e shkatërruar një xhami.

19:10Turqia shpall 7 ditë zie kombëtare

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka shpallur 7 ditë zie kombëtare pas tërmetit shkatërrimtar me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë Jugore.

“Për shkak të tërmetit të ndodhur në vendin tonë më 6 Shkurt 2023, Turqia shpall ditë zie kombëtare 7 ditë. Flamuri ynë do të jetë në gjysmështizë deri në perëndim të diellit të dielën, më 12 Shkurt 2023, në të gjithë vendin tonë”, ka deklaruar President turk Erdogan përmes një postimi në Twitter.

Ora 19:02 -“Kapacitetet e ‘Helmetave të Bardha’ të pamjaftueshme për përballimin e shkatërrimit të gjerë në Siri”

Një vullnetar i “Helmetave të Bardha” thotë se organizata nuk ka mjaftueshëm mjete dhe njerëz për të përballuar fatkeqësinë natyrore në Siri pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë jugore.

“Ekipet tona po punojnë gjatë gjithë kohës për të shpëtuar njerëzit e plagosur. Por aftësitë dhe fuqitë tona nuk janë të mjaftueshme për të trajtuar këtë fatkeqësi. Kjo fatkeqësi është më e madhe se çdo organizatë në veriperëndim të Sirisë. Kjo fatkeqësi ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare”, tha Ismail Alabdullah për CNN.

Alabdullah u shpreh se dimri po e përkeqëson situatën për njerëzit që vuajnë nga mungesa e nevojave elementare.

“Shumica e tyre u zhvendosën nga pjesë të tjera të Sirisë gjatë 12 viteve të fundit të bombardimeve dhe vrasjeve,” tha ai teksa shton se çdo ndihmë që ata marrin do të shpenzohet për të shpëtuar njerëzit për përballimin e kësaj fatkeqësie.

Alabdullah tha se ekipi në terren mendoi fillimisht që mund t’i përballonte trajtimin e pasojave të tërmetit, por kur dita ra, zbuloi shkallën e madhe të shkatërrimit teksa deklaron se ishin të tronditur nga ajo që zbuluan.

“Ajo që na duhet më shumë tani janë pajisjet e rënda që na ndihmojnë në largimin e rrënojave edhe për kërkimin e të mbijetuarve. Gjithashtu ne kemi nevojë për mjete mjekësore për ata që shpëtuam nga rrënojat. E gjithë kjo është nevoja urgjente për ne”, deklaroi ai për CNN.

Alabdullah tha se shpreson që vendet “të besojnë në vlerat njerëzore dhe të drejtat e njeriut” dhe t’i japin mbështetje Sirisë.

“Ne nuk duam kurrsesi që njerëzit të qëndrojnë nën rrënoja për javë ose ditë me radhë. Ne kemi nevojë për përgjigje të menjëhershme nga të gjithë, në mënyrë që të mund të ndihmojmë dhe t’i japim fund kësaj fatkeqësie”, u shpreh Alabdullah.

Ora 18:05-Tërmeti, Mitsotakis bisedon me Erdogan: Greqia, e gatshme për të ndihmuar

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka folur me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan pas tërmetit të fortë që ka shkaktuar mijëra viktima. Mitsotakis i ka shprehur Erdoganit ngushëllime për humbjet e jetëve, ndërkohë që i ka theksuar gatishmërinë e grekëve për të ndihmuar.

“Sapo fola me Presidentin Erdogan. Në emër të popullit grek, i shpreha ngushëllimet e sinqerta për humbjet tragjike të jetëve dhe theksova gatishmërinë tonë për të ofruar të gjithë ndihmën e mëtejshme të nevojshme”, tha ai.

Ora 17:50Futbollisti raportohet i zhdukur, një ditë më parë i dhuroi fitoren skuadrës

Lojtari i kombëtares ganeze, Christian Atsu, raportohet të jetë zhdukur pas tërmetit në Turqi.

31-vjeçari ka luajtur më parë me Newcastle United, Everton dhe Porto. Aktualisht ai ishte futbollist i Hatayaspor në Antakya në Super Ligën Turke.

Një ditë më parë ai ishte hero sepse i dhuroi fitoren skuadrës së tij me anë të një goli në minutën e 97. Në lidhje me zhdukjen e tij ka reaguar klubi i Newcastle, ku Atsu luajti për pesë vjet.

“Lutemi për disa lajme pozitive”, shkroi klubi.

Ora 17:01“Menduam se do vdisnim, kur dolëm jashtë filluam të qanim”, pacientja rrëfen si u përjetua tërmeti në spitalin e Turqisë

Pacientja Gökce Bay, e cila iu nënshtrua transplantit të veshkës ditën e djeshme, ishte në një spital në Gaziantep të Turqisë kur tërmeti me magnitudë 7.8 tronditi Turqinë dhe Sirinë.

“Isha në katin e dytë të spitalit kur nisën lëkundjet e para të tërmetit. As që e mbaj mend fare si u çova nga shtrati. Ishtë aq i fortë dhe doja të dilja sa më shpejt nga spitali. Të gjithë pacientët u mbajtëm pas njëri-tjetrit për të ndihmuar. Menduam se do të vdisnim. Kur dolëm nga ndërtesa e spitalit të gjithë filluam të qanim”, tregon pacientja.

Në rrëfimin e saj, Bay thotë se kur dolën jashtë, moti ishte shumë i ftohtë, teksa shton se ajo edhe shumë pacientë të tjerë ndodhen jashtë në kushte jo të favorshme.

 “Ne mbijetuam, por më pas dolëm jashtë në mot shumë të ftohtë. Unë kam bërë një operacion në veshkë dje dhe vetëm një ditë më pas jam jashtë në shi e këmbët e mia janë të lagura. Jo vetëm unë, disa pacientë shumë të moshuar janë jashtë pa asnjë xhaketë apo këpucë”.

Disa pacientë të moshuar me karrige me rrota nuk mund të lëviznin as për të dalë, kështu që infermieret erdhën për ndihmë. Disa infermierë janë ende në spital për t’u kujdesur për pacientët që janë në kujdes intensiv.

Ora 16:54-Tërmeti në Turqi, niset nga Shqipëria një mision solidariteti

Qeveria shqiptare i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.

Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile,  në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.

Pjesëtarët e ekipit që do të marrin pjesë në këtë mision solidariteti u përcollën në një ceremoni të veçantë, ku mori pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Teksa shprehu mirënjohjen edhe në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare për të gjithë personelin që do të angazhohet në këtë operacion, Peleshi tha se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit. Por, edhe nëse një fatkeqësi do t’i ndodhë një vendi tjetër, Shqipëria jonë e vogël do të tregojë se është gjithmonë e gatshme që kapacitetet e veta t’i verë në dispozicion, sepse në emergjencë apo solidaritet ne jemi tashmë pjesë edhe e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ku nuk jemi vetëm për të marrë, por edhe për të dhënë. Unë ju falenderoj shumë për kontributin që do të jepni aty. Mirënjohje edhe në emër të qeverisë shqiptare, Kryeministrit dhe të ktheheni shëndoshë”, u shpreh Ministri Peleshi në ceremoninë e përcjelljes së ekipit shqiptar.

Pjesë e ceremonisë ishin edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral brigade Arben Kingji, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako si dhe komandantë forcash të FA.

Ora 16:32 – Turqia raporton të paktën 120 pasgoditje pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8

Të paktën 120 pasgoditje janë shënuar pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8 që ka goditur Turqinë Jugore, sipas një përditësimi nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD).

3 nga pasgoditjet ishin me magnitudë 6.0 ose më shumë dhe shtrihen për më shumë se 300 kilometra (rreth 186 milje) përgjatë zonës ku shpërtheu tërmeti në Turqinë Jugore, e orientuar nga Jugperëndimi në Verilindje dhe që shtrihet nga kufiri në Siri deri në provincën e Malatya.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), i cili raporton vetëm pasgoditjet më të rëndësishme që ndihen në të vërtetë në zonën e tërmetit, raportoi të paktën 43 pasgoditje me magnitudë 4.3 ose më të madhe.

Të gjitha lëkundjet për sa kohë që ato nuk janë më të forta se tërmeti origjinal, kryesor, ato konsiderohen si pasgoditje.

Ora 14:32-“Dy pllaka masive tektonike takohen në Turqi”, përse janë kaq të forta pasgoditjet

Duke folur për lëkundjen me magnitudë 7.5 që pasoi tërmetin e parë që goditi Turqinë jugore mëngjesin e kësaj të hëne, eksperti i CNN, Chat Myers shpjegoi përse pasgoditjet kanë qenë kaq të forta.

“Dy pllaka masive tektonike, ajo arabe dhe euroaziatike, takohen nën provincat juglindore të Turqisë. Përgjatë kësaj vije, rreth 160 kilometra nga njëra anë të tjetrën, toka ka rrëshqitur”, tha Myers.

Sizmologët shpesh i referohen këtij fenomeni si rrëshqitje goditëse, ku pllakat po takohen dhe papritur ato rrëshqasin anash.

Kjo nuk ka ngjashmëri me Unazën e Zjarrit, që shtrihet në bregun perëndimor të SHBA. Në këtë zonë, tërmetet dhe cunamit shkaktohen shpesh nga zhytja, ku njëra pllakë rrëshqet mbi tjetrën.

Por në një rrëshqitje goditëse, pllakat lëvizin horizontalisht, e jo vertikalisht.

Sipas ekspertëve, për shkak të natyrës së kësaj ngjarjeje sizmike, pasgoditjet mund të zgjasin me javë e muaj.

Ora 13:50-Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, ekspertët e SHBA: Numri i viktimave mund të shkojë deri në 10 mijë

Numri i të vdekurve nga tërmeti i fortë që goditi Turqinë mëngjesin e kësaj të hëne mund të arrijë deri në 10 mijë, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS).

Sipas përllogaritjeve të USGS, gjasat që numri i viktimave të arrijë deri në 10 mijë, janë 47 përqind. Sipas asaj që shkruan CNN, përllogaritjet bazohen nga të dhënat historike të tërmeteve në këtë rajon, popullata e ekspozuar nga lëkundjet e forta dhe dobësia e strukturave në zonat më të goditura.

“Vdekshmëria e lartë dhe dëmet e mëdha janë të mundura. Popullata në rajon shtrihet në ndërtesa tejet të dobëta ndaj lëkundjeve të tërmetit”.

Raporti po ashtu përllogarit që humbjet ekonomike të jenë mes 1 deri në 10 miliardë dollarë, që mund të kapë deri në 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Turqisë.

Deri më tani raportohet për më shumë se 1,504 persona të vrarë dhe mbi 6,474 të plagosur në Turqi dhe Siri, pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë orët e para të së hënës.

Ora 13:40-Studiuesi italian: Toka ka lëvizur me 3 metra në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi

Me 3 metra ka lëvizur toka në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Kështu shprehet Carlo Doglioni, Presidenti i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës në Itali.

Ai shton se të dhënat satelitore, kur të jenë të disponueshme, do të tregojnë matjen akoma më të saktë të lëvizjes së tokës.

Pllakat tektonike kanë lëvizur horizontalisht, shpjegoi Doglioni për Ansa, duke shtuar se ka një çarje nga Mesdheu në veri-lindje që shkon deri në Detin e Zi dhe i bashkohet çarjes së veriut të Anadollit që arrin deri në Stamboll.

Epiqendra e tërmetit duket se ka qenë në Anadollin lindor, aty ku bashkohen pllakat tektonike të Anadollit, Arabisë dhe Afrikës.

Nga tërmeti i fortë me magnitudë 7.8 në Turqi pranë kufirit me Sirinë, u dha fillimisht edhe një alarm për cunami në Turqi, Qipro, Itali. Por më pas alarmi u hoq.

Mbi 1 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga tërmeti. Po kështu me mijëra janë të plagosur, ndërsa qindra ndërtesa janë shembur.  

Ora 13:09-Tërmeti i dytë i fortë në Turqi: Momenti kur ndërtesa “zhduket” para syve të njerëzve (Video)

Këto pamje i përkasin momentit kur Turqia qendrore goditet nga një tjetër tërmet i fortë me magnitudë 7.5 të shkallës Rihter. Dy ndërtesa të tjera u shembën, njëra në Diyabakir dhe tjetra në Malatya, në rajonin lindor të Anatolias në Turqi.

Tërmeti në fjalë ra në orën 13:24 (me orën lokale), gjatë kohës që ekipet e kërkim-shpëtimit vijonin kërkimet për të mbijetuar nga lëkundjet vdekjeprurëse të tërmetit që ra në orët e para të kësaj të hëne.

Pamjet në fjalë u filmuan nga një dëshmitar, i cili kapi momentin kur ndërtesa rrëzohet e gjitha, ndërsa njerëzit largohen të tmerruar me vrap.

Të paktën 912 persona humbën jetën dhe mbi 5 mijë të tjerë mbetën të plagosur për shkak të tërmetit, që goditi Turqinë qendror në orën 04:17 të kësaj të hëne. Shifrat në fjalë u bënë të ditura nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Gjasat që shifrat të rriten janë të mëdha.

Ora 12:06-Sizmiologu Edmond Dushi: Tërmeti në Turqi nuk përbën rrezik për Shqipërinë

Shqipëria nuk rrezikohet nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë. Kështu shprehet sizmiologu Edmond Dushi, në një prononcim për Klan News, qetëson qytetarët duke thënë se lëkundjet sizmike shkatërrimtare të Turqisë nuk përbëjnë rrezik të drejtpërdrejt për Shqipërinë.

Pyetje: A ka rrezik Shqipëria duke qenë se Turqia është goditur nga një tërmet shumë i fuqishëm?

Sizmiologu Edmond Dushi: Për të qetësuar, mund ta them që në fillim që nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë. Pra nuk përbën një rrezik për Shqipërinë fakti që ky tërmet ka ndodhur për shkak se distanca e konsiderueshme dhe pozicionimi tektonik i ndryshëm nuk e mundëson këtë gjë. Por që natyrisht rajoni i Mesdheut është tepër aktiv dhe kemi vënë re që ka një rritje të numrit të tërmeteve të moderuar deri tek të fortë. Përsa i përket këtij tërmeti, ky tërmet është një nga tërmetet në historikun e publikuar të tërmeteve të Turqisë, rezulton i dyti me këtë magnitudë. Turqia është një territor tektonik aktiv dhe ka tërmete me magnitudë mbi 7, ka një numër të konsiderueshëm tërmetesh të tillë.

Mbi 1 mijë të vdekur janë shkaktuar në Turqi e Siri nga tërmeti që goditi Turqinë mëngjesin e sotëm. Tërmeti me magnitudë 7.8 shkatërroi qindra pallate si dhe ka lënë me mijëra të plagosur.

Ora 11:56-NATO, BE dhe 45 shtete në ndihmë të Turqisë

NATO, Bashkimi Evropian dhe mbi 45 shtete i kanë ardhur në ndihmë Turqisë pas tërmetit tragjik të kësaj të hëne.

Presidenti turk Tayip Erdogan deklaroi për mediat se janë konfirmuar 912 viktima deri më tani në 10 qarqe të prekura të Turqisë dhe 5385 të plagosur. Pasoja të mëdha ka pasur dhe në godina me 2818 prej tyre të shkatërruara.

Deri më tani ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë rreth 2400 njerëz nga rrënojat ndërsa puna vijon.

Në Sirinë fqinje, kanë vdekur të paktën 386 njerëz, duke përfshirë 239 kryesisht në rajonet e Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, njoftoi më herët TV shtetëror sirian. Grupi “Helmetat e Bardha”, i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, raportoi gjithashtu të paktën 147 vdekje në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisë. Qindra të tjerë janë raportuar të plagosur në Siri.

Ora 11:40-Tjetër tërmet i fuqishëm në Turqi me magnitudë 7.7, njerëzit vrapojnë të tmerruar

Një tjetër lëkundje e fortë tërmeti është regjistruar pak minuta më parë në Turqi. Sipas të dhënave paraprake, tërmeti ishte me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter. Lëkundjet e fuqishme ndodhën në një kohë kur gazetarët në vendngjarje raportonin live, siç shihet edhe në këto pamje.

Tërmeti ra në në orën 13:24, (më orën lokale) dhe ishte me epiqendër 67 kilometra nga Kahramanmaraş dhe 6 kilometra nga Elbistan. Vetëm pak minuta më vonë, në orën 13:36 (me orën lokale) u regjistrua një tjetër lëkundje me magnitudë 6 të shkallës Rihter.

Për momentin nuk dihen pasojat e këtyre lëkundjeve të forta.

Kujtojmë se në orën 04:17 minuta (me orën lokale) të kësaj të hëne, një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter la të vdekur të paktën 1200 të vrarë dhe mbi 5 mijë të plagosur në Turqi e Siri. Dëmet janë të panumërta, ndërsa si numri i viktimave ashtu sikurse edhe i plagosurve pritet të jetë shumë më i lartë.

Ora 11:18-Erdogan: Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dyja zonat

Në një komunikim të parë për mediat pas tërmetit tragjik, presidenti turk Tayip Erdogan tha se deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dy shtetet e prekura.

“Po vijon pjesa e transportimit me ushqime, veshje e mjete në zonat e goditura nga tërmeti si masë nga autoritetet turke për të përballuar pasojat e tërmetit. Është dimër, është ftohtë, tërmeti ndodhi në orët e natës dhe në një mot aspak favorizues. Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në të dyja zonat e prekura, Turqi dhe Siri. Janë rreth 5835 të plagosur dhe 2818 godina të shkatërruara, tregues i tërmetit katastrofik. 2470 persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan tha se do bëhet gjithçka për përballimin e kësaj situate dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë me punën minutë pas minute për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.

“Një pjesë e mirë kanë ndërruar jetë, janë afro 9 mijë veta në ekipet e shpëtimit. Po punohet për të nxjerrë nga rrënojat personat që kanë mbijetuar, puna vijon minutë pas minute. Në Ankara ka mbërritur grupi koordinator me drejtues zëvendëspresidentin”, tha Erdogan.

Sipas kreut të shtetit turk janë 10 qarqe të prekura nga tërmeti i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter.

Ora 11:12-Tërmeti shkatërrimtar, NATO e BE krah Turqisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Turqia ka solidaritetin e plotë të aleancës.

“Solidaritet të plotë me aleatin tonë Turqinë për pasojat e tërmetit të tmerrshëm. Jam në kontakt me presidentin Erdogan, ministrin e jashtëm Cavusoglu dhe aleatët e NATO-s po mobilizojnë mbështetjen për Turqinë tani”, tha ai në Twitter.

Diplomati i BE, Josep Borrell tha po ashtu se blloku është “gati për të ndihmuar”, pas tërmetit të së hënës.

“Tërmeti vdekjeprurës goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes, duke i marrë jetën qindra personave e duke plagosur shumë të tjerë. Mendimet tona janë me njerëzit në Turqi e Siri. BE është gati të ndihmojë”, tha Borrell.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për viktimat e kësaj fatkeqësie.

“Thellësisht i trishtuar me lajmin e mëngjesit të sotëm, për tërmetin vdekjeprurës që goditi Turqinë e Sirinë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e shumta që humbën njerëzit e tyre dhe shërim të shpejtë të plagosurve. BE qëndron në solidaritet të plotë me ju”.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se Europa kishte nisur ndihmën e saj.

“Qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe Sirisë, pas tërmetit vdekjeprurës që ra mëngjesin e sotëm. Jemi pranë familjeve të viktimave. Mbështetja e Europës është rrugës dhe qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme”.

Ora 10:46-“Nuk na rezulton asnjë shqiptar i prekur nga tërmeti”, Ambasadori i Shqipërisë në Turqi: Ka pasur 78 pasgoditje

Ambasadori i Shqipërisë në Turqi Kastriot Robo tha përmes një lidhjeje telefonike për Klan News se nuk ka asnjë shqiptar të lënduar nga tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm shtetin turk.

“Nuk na rezulton akoma fatmirësisht shtetas shqiptar apo shtetas turk me origjinë shqiptare të prekur nga ky tërmet.”

Robo theksoi se operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në 10 qytete turke edhe pse kushtet e motit e bëjnë akoma më të vështirë situatën.

“Përmasat e tërmetit janë shkatërruese. Turqia është mbërthyer nga një dimër i egër. Ka stuhi dëbore dhe ndërprerje të shumë linjave të fluturimit ajror, përfshirë dhe ato të Shqipërisë”-tha Robo.

Sipas tij, ky tërmet është më i fuqishmi pas atij të vitit 1999, që pati pasoja shkatërrimtare për Stambollin.

Lëkundjet e tërmetit po vijojnë. Gatishmëria e qeverisë turke për përballimin e situatës dhe deklarata e presidentit Tayip Erdogan tregon për gatishmëri maksimale të autoriteteve turke, i gjithë kabineti qeveritar është në ndjekje të situatës. Ky tërmet krahasohet me goditjen e Stambollit në vitin 1999”-u shpreh ambasadori.

Ai tha ndër të tjera se ka pasur rreth 78 goditje pas tërmetit të fortë.

Ora 10:30-Momenti kur tërmeti me magnitudë 7.8 godet Turqinë (Video)

Këto janë pamjet që tregojnë momentet e lëkundjeve të forta me magnitudë 7.8 që goditën orët e para të së hënës Turqinë.

Siç shihet në këtë video të përcjellë nga Reuters, lëkundjet zgjatën rreth 1 minutë. Janë me qindra të vdekurit e me mijëra të plagosurit nga ky tërmet tragjik, në Turqi e Siri.

Dëmet po ashtu janë të mëdha, ndërkohë që operacionet e kërkim shpëtimit vijojnë intensivisht në të dyja shtetet.

Ora 10:24-Rama shpreh ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik: Një mision shpëtimi niset sot për Turqi

Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar i prekur nga tërmeti tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, Rama shpreh ngushëllimet e tij për jetët e humbura dhe uron shërim të shpejtë për të lënduarit. Ai shton se një mission shpëtimi do të niset sot drejt Turqisë.

“I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”-shkruan kreu i ekzekutivit.

Ora 10:06-Tërmeti në Turqi, Veliaj: Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e 26 Nëntorit!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur solidaritetin me të gjithë familjet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shpreh ngushëllimet e tij ndaj familjarëve që humbën të dashurit e tyre dhe ka treguar mbështetjen e Shqipërisë ndaj popullit turk për këtë humbje të madhe njerëzish.

“Sot Tirana  u zgjua me lajmin e tërmetit shkatërrues në Turqi.  Zemrat dhe mendjet tona shkojnë për të gjithë të prekurit dhe familjet që kanë humbur të dashurit e tyre! Jemi me ju, me kujtimet ende të freskëta nga tragjedia jonë e 26 nëntorit, por edhe me ngrohtësinë e solidaritetit mes dy kombeve tona”, shkruan Veliaj.

Ora 09:58-Tërmeti dëmton rëndë Kalanë e Gaziantepit dhe shemb një pjesë të xhamisë historike në Turqi

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, shkaktoi dhe dëme kolosale materiale. CNN shkruan se prej lëkundjeve të forta është dëmtuar rëndë “Kalaja e Gazientepit”, pjesë e trashëgëmisë botërore të UNESCO-s.

Mësohet se janë shkatërruar disa bastione të kalasë, është shembur muri mbajtës dhe shumë pjesë të tjera kanë marrë çarje të mëdha. Kangjellat prej hekuri që e rrethonin raportohet se janë shpërndarë në trotuaret përreth.

Sipas arkeologëve, kjo kala u ndërtua për herë të parë si kullë vrojtimi në periudhën romake në shekujt II-IV të erës sonë dhe u zgjerua me kalimin e kohës.

Ajo mori formën e saj aktuale midis viteve 527-565 pas Krishtit gjatë periudhës së Perandorit Bizantin Justinian I.

Gjithashtu është shembur pjesërisht dhe kupola e muri i xhamisë historike të Shirvanit që ndodhet pranë kalasë.

Ora 09:37-Dëshmitë rrëqethëse nga Turqia: S’kam ndjerë diçka të tillë në 40 vite…

Rrëqethëse janë dëshmitë e personave që përjetuan tërmetin tragjik të mëngjesit të sotëm në Turqi e Siri. Një banor i qytetit turk të Gaziantepit tha në një lidhje telefonike për mediat e huaja se nuk kishte përjetuar një fenonem të tillë në 40 vite të jetës së tij.

S’kam ndjerë kurrë diçka të tillë në 40 vite. Jemi veshur të gjithë dhe kemi dalë jashtë. Njerëzit po rrinë në makina ose po largohen prej zonës”-tha ai.

Lëkundjet e forta, ai i përshkruan si “tundjet e krevatit të një foshnjeje”.

Një tjetër banor i Damaskut shprehet se u zgjua i tmerruar nga lëkundjet.

U zgjova i tmerruar, pikturat po binin nga muret e shtëpisë. Tani jemi të gjithë jashtë”-tha ai.

Tërmeti me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u mori jetën këtë të hënë mbi 500 personave sot në Turqi e Siri.

Ora 09:35-Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, pamjet kur shemben pallatet shumëkatëshe

Me qindra ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti apokaliptik me magnitudë 7.8 në Turqi që goditi rajonin Gaziantep në orët e para të mëngjesit.

Në rrjetet sociale dhe mediat turke janë publikuar pamje të pallateve dhe ndërtesave teksa rrëzohen nga lëkundjet e forta sizmike.

Një pjesë e tyre janë shembur gjatë pasgoditjeve pas dëmeve të mëdha që kanë pësuar.

Ora 09:28-Tërmeti vdekjeprurës në Turqi, reagojnë liderët botërorë

Mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje kanë ofruar mëngjesin e kësaj të hëne liderët botërorë, të cilët u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një postim në Twitter tha se Greqia do të ofrojë ndihmën e saj e menjëhershme. “Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ngushëllimet tona më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave dhe mendimet tona janë me njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të asistojë menjëherë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet tij për viktimat në Twitter dhe ofroi asistencë. “Jemi krah popullit turk në këtë kohë të vështirë. Jemi gati për të ofruar asistencën e nevojshme për të tejkaluar pasojat e kësaj fatkeqësie”, tha Zelenski.

Në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i “pikëlluar për jetët e humbura dhe dëmet në ndërtesa”. “India qëndron në solidaritet me popullin e Turqisë dhe është e gatshme për të ofruar të gjithë asistencën e mundshme për t’u përballur me këtë tragjedi”, tha ai.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif përcolli ngushëllimet e tij për të prekurit në Turqi e Siri, nëpërmjet një serie postimesh në Twitter.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog shkruajti: “Shteti i Izraelit është në gatishmëri për të ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme. Zemra tona janë me familjet që humbën njerëzit e dashur dhe me popullin turk në këtë moment të dhimbshëm”.

Shtëpia e Bardhë, nëpërmjet këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara” për shkatërrimin në Siri dhe Turqi. “Kam kontaktuar me zyrtarët në Turqi për t’i shprehur gatishmërinë tonë për të ofruar çdolloj asistence. Do të vijojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, shkruajti Sullivan në Twitter.

Misioni diplomatik i SHBA në Turqi shprehur po ashtu pikëllimin për pasojat tragjike të tërmetit.

Ora 09:24-Asnjë shqiptar i lënduar prej tërmetit tragjik në Turqi, Xhaçka: Jemi gati të ndihmojmë

Për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri, ka reaguar dhe ministrja e Evropës dhe Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

Përmes një postimi në Twitter, Xhaçka shkruan se Shqipëria është gati të ndihmojë me sa mundet në këtë moment të vështirë për Turqinë.

“Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi #Turqinë  & #Sirinë  sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë orë të vështirë, ne jemi gati të ndihmojmë #Turqinë në çdo mënyrë që mundemi”, shkruan ministrja Xhaçka.

Ndërkohë, bazuar në komunikimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Turqi (që prej orëve të para të mëngjesit e deri tani) nuk ka informacion për shqiptarë të lënduar ose që mund të kenë humbur jetën.

Ora 09:08-Begaj: I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i Shtetit shkruan se ai dhe shqiptarët janë pranë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nga kjo tragjedi e tmerrshme.

I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi #Turkiye dhe #Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan Begaj.

Ora 08:55-Pas lëkundjeve të forta, shpërthen në flakë tubacioni i gazit në Turqi (Video)

Pas tërmetit tragjik në Turqi ku kanë vdekur më shumë se 284 persona, ka shpërthyer në flakë një tubacion i gazit natyror në Hatay. Sipas mediave të huaja zjarri ka shpërthyer në dy vende të gazsjellësit i  cili shtrihet përmes fshatit Topboğazı.

Momenti i shpërthimit pasoi menjëherë pas lëkundjeve të forta të tërmetit në provincën e Kahramanmaraş.

Epiqendra e tërmetit ishte 26 km larg qytetit të Gaziantepit dhe me thellësi mbi 7 kilometër nën sipërfaqe.

Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë tha se tre tërmete të tjera me magnitudë 6.4-6.6 goditën provincën Gaziantep në Turqinë juglindore.

Si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë, lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Siri, Liban, Egjipt dhe Qipro.

Ora 08:40-Flet shqiptari në Turqi: Isha në katin e 12 të hotelit kur ra tërmeti, e pamundur të zbrisja poshtë

Bruno Dodi, një shqiptar në Turqi, ka treguar momentet e vështira nga tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7.8. Në një lidhje për Klan News, Bruno Dodi thotë se ka qenë në katin e 12 të një hoteli në qytetin Adana kur vendi u trondit nga tërmeti i fuqishëm.

“Ka pasur lëkundje nga ora 05:00 deri tani, pothuajse çdo 10-15 minuta ka lëkundje. Shembje të banesave ka këtu në Adana, unë jam në qendër të Adanasë, njerëzit janë pothuajse akoma jashtë që nga mëngjesi kur filluan lëkundjet. Situata është e vështirë, ishte një tërmet i fuqishëm. Unë banoja për momentin në katin e 12 të një hoteli dhe ishte e pamundur që të zbrisje poshtë. Ishte shumë tronditës”, thotë Bruno Dodi.

Sipas tij, edhe në aeroportin e këtij qyteti ka të ngjarë që të ketë patur probleme nga lëkundjet sizmike.

Qyteti Adana është një nga të prekurit e tërmetit në Turqi, ku janë rrëzuar edhe pallate.

Ora 08:33-Tërmeti tragjik në Turqi, Erdogan: Shpresojmë ta kalojmë shpejt këtë fatkeqësi

Një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u ka marrë jetën mëngjesin e sotëm më shumë se 500 personave në Turqi e Siri.

Presidenti turk Tayip Erdogan ka reaguar për tragjedinë përmes një postimi në Facebook ku thotë se ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë në këto zona dhe shpreson që kjo fatkeqësi të kalojë sa më shpejt.

“Ekipet tona të kërkim-shpëtimit janë dërguar në zonat e prekura nga tërmeti. Ministria jonë e Brendshme dhe Shëndetësia, AFAD, Guvernatorët dhe të gjitha institucionet e tjera kanë nisur punën me shpejtësi. Po bashkërendojmë edhe punimet e nisura pas tërmetit. Shpresojmë që këtë fatkeqësi që po përjetojmë ta kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme. Ne vazhdojmë punën tonë”-shkruan presidenti turk.

Lëkundjet e forta të mëngjesit të sotëm janë ndjerë edhe në Qipro, Gaza dhe Liban. Autoritetet turke shpallën “alarmin e nivelit 4” që kërkon ndihmë ndërkombëtare dhe SHBA shprehën të parat gatishmërinë për të ndihmuar.

Ora 06:45Tërmet me magnitudë 7.8 në Turqi, qindra të vdekur

Një tërmet i fuqishëm goditi gjatë natës juglindjen e Turqisë, në kufi me Sirinë, duke i marrë jetën qindra personave, në të dy shtetet. Qendra Amerikane e Sizmologjisë tha se tërmeti ishte me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter.

Lëkundjet e forta u regjistruan në orën 04:17 me orën lokale. Ato ishin me thellësi 17.9 kilometra dhe me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep.

Autoritetet në Turqi kanë konfirmuar vdekjen e të paktën 284 personave deri më tani. Zv/Presidenti i Turqisë Fuat Oktay ka bërë të ditur se 2323 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. 10 janë qytetet turke që janë prekur nga ky tërmet.

Në Siri, mediat atje raportojnë për të paktën 386 të vdekur dhe mbi 988 të plagosur.

Shifrat janë paraprake dhe numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi të shumtë janë ata që dyshohen të jenë zënë nën rrënoja. Lëkundjet e forta shembën shumë ndërtesa dhe ekipet e shpëtim-kërkimit po punojnë për nxjerrjen e njerëzve të zënë poshtë.

Tërmeti i kësaj të hëne besohet të jetë më i forti që godet Turqinë që prej vitit 1939, kur një tërmet me magnitudë të njëjtë i mori jetën 30 mijë personave.

REDAKSIA TVKLAN.AL