Një tërmet i fuqishëm 6 ballë ka goditur Turqinë në pjesën perëndimore, duke shkaktuar lëndime në njerëz dhe dëme në banesa.

Lëkundjet sizmike u ndjenë në qytetin Bozkurt në provincën Denizli. Sipas mediave vendase, u dëmtuan disa shtëpi dhe u lënduan 23 persona. Këta të fundit morën ndihmën mjekësore në spital. Autoritetet thanë se disa ndërtesa të vjetra u rrëzuan, kurse banesa të tjera kanë pësuar çarje në mure.

Kryetari i Bashkisë së Bozkurt, Birsen Celik, u shpreh se tërmeti i fortë rrëzoi dy shtëpi në qytet, kurse banorët pësuan plagë të lehta. Qytetarët thanë se tërmeti zgjati 15-20 sekonda. Njerëzit dolën në rrugë nga paniku. Banorëve të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë, nuk janë lejuar që të kthehen nëpër banesa.

Disa shtëpi janë dëmtuar edhe në qytetin tjetër të afërt, Tutluca, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Lëkundjet e forta sizmike u ndjenë edhe në provincat fqinje. /tvklan.al