Ky filmim tregon momentet tragjike të shembjes së një 30-katëshi në ndërtim në Bangkok të Tajlandës nga lëkundjet e tërmeteve të fuqishëm që goditën mëngjesin e kësaj të premteje, disa vende të Azisë Juglinodre.
Deri më tani numërohen 153 viktima si në Tajlandë ashtu edhe në Birmani, ku ishte epiqendra e dy lëkundjeve të fuqishme 6.4 dhe 7.7 të shkallës Rihter. 8 viktima numërohen në kantierin e Bangkokut, ku dhjetëra punëtorë rezultojnë të zhdukur.
Më e rëndë situata është në Birmani, ku numri zyrtar i viktimave, ka arritur në 144 e 732 të lënduar. Dëmet e shumta në ndërtesa dhe mungesat e organizimit të ndihmës së shpejtë pritet ta rëndojnë bilancin e këtij tërmeti në mijëra viktima.
Të paktën 20 fëmijë dyshohet se janë bllokuar mes rrënojave të një shkolle në Jangon. Dëmeve nuk i kanë shpëtuar edhe disa tempuj budistë të shekullit të XVIII.
Dhjetëra mijëra qytetarë braktisën ndërtesat dhe dolën në rrugë të përfshirë nga paniku. Dëmet janë katastrofike në ndërtesa e infrastrukturë. Junta ushtarake e Birmanisë që qeveris vendin prej 2021-shit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe lëshoi një apel të rrallë për ndihmë ndërkomëbtare, të cilit iu përgjigjën menjëherë Kombet e Bashkuara dhe shumë shtetë fqinjë e më gjerë. Në shumë zona nuk mund të shkohet me automjete për ndihmë pasi janë shkatërurar rrugë e hekurudha.
Lëkundjet u ndjenë deri në Kinën jugore e Laos. Birmania është vend që goditet vazhdimisht nga tërmetet dhe periudha më aktive ka qenë ajo mes viteve 1930 – 1960.
Tv Klan