Tërmetet, AMF: Kush ka siguruar banesën, të njoftojë shoqërinë e sigurimit

Tërmetet, AMF: Kush ka siguruar banesën, të njoftojë shoqërinë e sigurimit

18:40 02/12/2019

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njofton se qytetarët që kanë siguruar banesat apo pronat e tyre nga katastrofat natyrore, të njoftojnë shoqëritë e sigurimit për të bërë evidentimin e dëmeve të ndodhura.

Në një njoftim për mediat, AMF bën me dije se eksperti i shoqërisë së sigurimit do të paraqitet në adresën e dhënë për të verifikuar dëmet që mund të ketë pësuar prona.

NJOFTIMI I AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dëshiron të informojë të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti i datës 26.11.2019, që kanë një kontratë për sigurimin e banesës apo pronës nga katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarri, përmbytjet, që të kontaktojnë menjëherë shoqërinë e sigurimit për të njoftuar për dëmtimet e ndodhura. 

Pasi të keni njoftuar zyrtarisht ndodhjen e ngjarjes së siguruar, një ekpert i shoqërisë së sigurimit do paraqitet në banesën/pronën e dëmtuar për të evidentuar dëmet. Bëni kujdes që njoftimi i shoqërisë së sigurimit të kryhet brenda afateve të përcaktuara në kontratën e sigurimit.

Ju mund të kontaktoni shoqërinë e sigurimit të adresën e selisë qendrore apo në zyrat që ajo ka në rrethin ku ndodheni për të njoftuar dëmtimet e ndodhura në banesën apo pronën Tuaj, si dhe për t’u informuar me detaje në lidhje me procedurat dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim.

Çdo shoqëri sigurimi ka një faqe zyrtare interneti, ku ka të publikuar adresat dhe mënyrat e kontaktit. Lista me shoqëritë e sigurimit të Jo-Jetës, të cilat ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë me adresat përkatëse gjendet edhe në faqen e internetit të AMF-së https://amf.gov.al/ts_shoqeri_sigurimi.asp

Nëse keni marrë një kredi bankare Ju mund të kontaktoni dhe bankën për t’u informuar nëse keni siguruar banesën apo pronën Tuaj, si dhe për të kërkuar asistencën që iu nevojitet.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për çdo asistencë, problematikë apo ankesë vendos në dispozicion linjat e komunikimit si më poshtë:

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Adresa: Rruga “Dora D’istria” Nr. 10, P.O. Box 8363, Tiranë
Numri i gjelbër:  0 800 69 69
Telefon: + 355 – (0) – 4 – 2257560
Email:   [email protected]
Facebook: www.facebook.com/AlbaniaAMF/
Regjistri online i ankesave: https://crm.amf.gov.al/




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi