Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh këtë të hënë pas kërkesës së Presidentit Ilir Meta. Të pranishëm në mbledhje përveç kreut të shtetit ishte edhe kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Ministrja e Arsimit Besa Shahini, Ministrja e Financave Anila Denaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Të pranishëm ishin edhe kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu. Mbledhja vjen pas tërmetit tragjik të së martës ku humbën jetën 51 qytetarë.

Në përfundim të takimit, Meta reagoi në rrjetet sociale ku zbardhi se çfarë ndodhi në takim. Sipas kreut të shtetit, është mbështetur prokuroria që të çojë përpara hetimet dhe të vendosë përpara përgjegjësisë penale ata persona që do të rezultojnë përgjegjës.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkruan ai në Facebook.

Gjendja në terren ku rezultojnë me dhjetëra pallate të rrënuara e të tjerë të dëmtuar ka bërë që në Shqipëri krahas ekspertëve vendas në terren janë bashkangjitur edhe profesionistë ndërkombëtarë që asistojnë me ekspertizën e tyre në të tilla ngjarje.

7 prej tyre amerikanë, të kryesuar nga këshilltari në këshillin bashkiak të Nju Jorkut Mark Gjonaj si dhe një përfaqësi e diasporës shqiptare në SHBA u takuan gjatë paradites me kreun e shtetit.

Në qendër të inspektimit, ata do të kenë të gjitha shkollat e zonës së prekur nga tërmeti dhe njëherazi vlerësimin e dëmtimeve të tyre./tvklan.al