Ajo është një nga emrat më të vlerësuar akademikë në fushën e inxhinierisë, në Shqipëri. Luljeta Bozo, 78-vjeçarja që nuk njeh moshë vazhdon të japë mësim, duke përgatitur breza të tërë inxhinierësh.

Profesoresha Bozo ka botuar 35 libra profesionalë, në fushën e inxhinierisë, shkencës dhe gjeoteknikës.

E ftuar në programin “Historia ime”, në TV Klan, Bozo ka treguar edhe më shumë detaje rreth jetës së saj personale, por edhe asaj profesionale. Ajo është ndalur edhe tek lëkundjet e herë pas hershme të tërmeteve, duke u shprehur se ndodhemi në një zonë ku gjithë kohën do lëkundemi, prandaj njerëzit duhet të mësohen me këtë gjë.

Sipas saj, lëkundjet nuk do të jenë aq të fuqishme sa tërmeti i 26 Nëntorit.

Luljeta Bozo: E para njëherë mbi të gjitha, njeriu duhet ta ketë shumë të qartë, kjo ka shumë rëndësi dhe të jetë i ndërgjegjshëm për këtë, që ne jetojmë në një vend që është i mrekullueshëm, që nuk ka ku të shkojë në çdo pikëpamje, bukuri natyrore, klimë fantastike, ushqim shumë të mirë, njerëz shumë të mençur dhe shumë mikëpritës. Mos shikojmë anën e keqe, shikojmë anën e mirë. Por kemi dhe këtë, në qoftë se mund ta quajmë, nuk mund të quhet fatkeqësi se është një zonë e tërë, që ndodhemi në një zonë që gjithë kohën do lëkundemi. Kështu që njerëzit duhet të mësohen me këtë, që do jemi gjithmonë në një territor ku do ketë vazhdimisht lëkundje, të cilat nuk do jenë kaq të fuqishme si ai i 26 Nëntorit, gjithmonë. Duhet të kuptojnë pse ndodh ky fenomen, kjo ka shumë rëndësi. Dhe kjo merret që në shkollë tek fëmijët, në shkollën 9-vjeçare dhe pastaj në shkollën e mesme, po merret edhe në emisone të ndryshme, që bëjnë rrjetet e ndryshme televizive që kemi ne, pa përdorur një terminologji shumë të komplikuar, shkencore, por të thjeshtë. Çfarë lloj fenomeni është ky dhe pse ndodh? Edhe njerëzit do të jenë shumë të qetë, do ta marrin me shumë qetësi. Një gjë duhet të kenë shumë kujdes, se kur bie, e kemi thënë jo një herë, por një mijë herë, derisa nuk ka dalë asnjë shkencëtar, ose asnjë institucion që ta parashikojë të saktë kur bie. Por një gjë e kemi në dorë, që neve të dimë se kush është masa e parë po na zuri në shtëpi, apo në punë kudo që të jetë, çfarë duhet të bëjë njeriu, e para. Dhe e dyta, atje ku do të vendosë gjithë investimet e vetë jetës së vetë, që është shtëpia, të mos futet në shtëpi që nuk janë të sigurta./tvklan.al