Veliaj: Shtëpitë e reja me vlerë më të madhe në treg

Ekspertët dhe inxhinierët kanë dalë në përfundimin se 5 pallate kryesisht në zonën e Kombinatit do të duhet të prishen pasi tërmeti i 26 Nëntorit i ka dëmtuar shumë, ndërsa 4 do të përforcohen.

Në dëgjesën publike të organizuar në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj tha se ky është një proces ringritje për Tiranën.

“Pyetja nuk është sa biem dhe si biem sepse tërmetin dhe pandeminë nuk i kemi në dorë. Pyetja është: sa shpejt ngrihemi? Ky është një proces ringritjeje, që filloi në orën 03:54 të mëngjesit të 26 Nëntorit, kur Kryeministri ishte i pari që mobilizoi gjithë të tjerët, si pjesën e kërkim-shpëtimit, ashtu edhe sistemimin e të gjithë atyre që humbën familjarët, e tani po menaxhon edhe procesin e rindërtimit”.

Veliaj siguroi se çdo familje do të marrë pagesat për bonusin e qirasë deri sa të hyjë në shtëpinë e re.

“Është hera e tretë që marrim vendime të tilla, aspak të lehta, por janë vendime të drejta. Secila familje që trajtohet me bonus qiraje, do të vazhdojë ta marrë atë, derisa të mbajë në dorë çelësin e një shtëpie të re, që do të vlejë më shumë në treg sesa shtëpia që la”.

Bashkia e Tiranës ka filluar ndërtimet e 53 shtëpive që u prishën nga tërmeti në Farkë.

Tv Klan