“Vangjush Dako duhet të shkojë në burg”

Gjatë një takimi me banorët e zonës së plazhit në Durrës, kreu i opozitës Lulzim Basha, e cilësoi dështim total të qeverisë menaxhimin e situatës së post-tërmetit.

“Ky është dështim i shtetit dhe i kësaj qeverie, sepse kemi hyrë në javën e tretë dhe ju nuk dini se ku të flini. Kjo është e papranueshme. Edhe në javën e dytë është e papranueshme për një shtet të mirëpërgatitur, por javën e tretë, kjo është neglizhencë, ky është dështim total. Është dështim kriminal dhe faturën e paguani ju. Kemi vetëm shfaqje nga mëngjesi deri në darkë”

Basha ripërsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se qeveria duhet të akordojë paratë për koncensionet për përballimin e kësaj situate.

“Tani këta duhet të transferojnë fondet, se s’ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit. Shumë pak familje mund të jenë në gjendje të bëjnë diçka vetë, të tjerëve ky tërmet u ka marrë gjithçka. u ka marrë pasurinë e një jete. Shteti është i shqiptarëve. Fondet janë të shqiptarëve, buxheti është i shqiptarëve, nuk është as i oligarkëve, nuk është as i Edi Ramës”.

Basha bëri përgjegjës për situatën e krijuar nga tërmeti dhe ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“Përgjegjësia fillon me ata që kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe licencimin e ndërtimeve, që është shteti. Këtu në Durrës kemi edhe një veçori se në 99% të pallateve, ai që ka firmosur për këto leje, ka sjellë edhe betonin, në konflikt interesi, Vangjush Dako. Pasi mbaron gjithçka, kolaudohet dhe prapë pushteti vendor, bashkia, ka për detyrë të kolaudojë që gjithçka është bërë në rregull. Përgjegjësia fillon dhe mbaron me shtetin. Ç’është ajo shprehje “do t’i bëj unë letrat”. Çfarë letrash do të bëjë ai? Ai duhet të shkojë në burg për këto gjëra.”

Tv Klan