Përgjysmohen lejet, tkurret kredia

Pasojat e tërmetit në ekonomi kanë prekur të parin sektorin e ndërtimit. Edhe pse pritej një lulëzim i kësaj industrie për shkak të nevojës për riparimin e dëmeve, muajt e fundit flasin për një stanjacion në këtë sektor.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave Shqiptare tregojnë se tremujorin e fundit të vitit 2019 janë dhënë gjithsej 196 leje ndërtimi në të gjithë territorin, nga 360 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke pësuar një rënie me 45%.

Nga qarqet e prekura nga tërmeti vetëm ai i Lezhës ka patur një fluks të pandryshuar të lejeve të miratuara, ndërsa Tirana dhe Durrësi kanë përgjysmuar numrin e tyre. Për Tiranën vlera e investimeve të miratuara për ndërtim ka rënë me 300%, ndërsa për Durrësin është përgjysmuar.

Pas një rigjallërimi të kredisë për këtë sektor, prej Tetorit dhe deri në fund të Janarit huaja për ndërtimin është tkurrur vazhdimisht, duke sjellë një balancë negative për këtë periudhë në minus 18 milionë euro.

Agjentët e këtij tregu presin një rigjallërim të sektorit menjëherë pas nisjes së procesit të rindërtimit, ku sipas të dhënave paraprake llogaritet që vlera e investimit për rindërtimin të kapë një shifër prej 860 milionë eurosh.

Tv Klan