Rama: Për vitin e ri të jeni në shtëpitë tuaja të rindërtuara 

Edi Rama i preku vetë nga afër muret e rikonstruktuara në pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në Durrës, ndërsa dëgjoi edhe banorët e zonës.

Nga pritja që i bënë, duket se punimet po shkojnë mirë. Në kohë pandemie, asgjë nuk është njësoj. As puthjet, as përqafimet, madje as bekimet e popullit nuk vlejnë njësoj.

Kryeministri Rama u shpreh se qeveria po bën maksimumin që Viti i Ri t’i gjejë familjet e dëmtuara në banesat e tyre të reja. 

“Ju e dini që ne po bëjmë maksimumin, edhe pse jo aq sa do të donim sepse koha është mbreti. Puna do kohën e vet, por e rëndësishme është që përsa i përket familjeve që janë me këtë hall në qytet, janë nëpër shtëpi me qira. Edhe shumën që mund të bëni rregullimet e brendshme e keni. Na është dashur një proces i tërë, sepse ka qenë një hall i madh me verifikime, dokumente, ankimime, riverifikime dhe pastaj me projektet. Tani të gjitha kompanitë janë në punë. Kemi edhe 2 lote që do të bëhen. Janë 7 lote të mëdha për mjediset e përbashkëta. Kurse për mjediset e brendshme jemi gati. Me këtë mund të filloni pjesën tuaj me riparimet e vogla. Rëndësi ka që për Vit të Ri e keni harruar këtë hall”, u shpreh Kryeministri.

Gjithsej 143 pallate janë pjesë e projekteve të ndërhyrjes. Rama shoqërohej nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako dhe nga Ministri për Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Procesi i rindërtimit po vijon me riparimin e mjediseve të përbashkëta e të muraturave të pallateve me nivel dëmi DS1, DS2, DS3, të ndarë në 9 lote dhe financuar nga qeveria shqiptare.

Tv Klan