Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 ka goditur të premten brigjet perëndimore të Greqisë. Tërmeti ra në tetin Jon pranë ishullit turistik të Zakynthos, i njohur gjithashtu si Zante. Lëkundjet u ndjenë 286 kilometra larg nga Athina në veri-lindje të ishullit.

Epiqendra ishte në detin Jon, rreth 130 kilometra në jugperëndim të Patras në Peloponez. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në Shqipëri, Itali, Maltë, Maqedoni. Alarmi është përhapur edhe në rrjetet sociale, ku qytetarët shprehen se kanë kaluar një natë të frikshme. Gjatë mesnatës, lëkundje u ndjenë edhe në Tiranë, në orën 00:57.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Sizmologjisë në Itali tha se

“lëkundja e tërmetit ka shkaktuar një lëvizje anormale prej 10 centimetra të detit Jon në provincën e Krotones, me rrezikun e një cunami”.

Në 1953, Zakynthos u godit nga një tërmet 7.3 ballë, duke shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesave në ishull. Që nga ajo kohë, ato janë përforcuar në mënyrë që të mbrohen nga lëkundje e forta. Megjithatë, nga imazhet e para të së premtes, duket se toka në këtë ishull nuk ia ka shpëtuar çarjes.

Në vitin 1999, një tërmet me magnitudë 5.9, i rënë në periferi të Athinës i mori jetën 143 personave.

/tvklan.al