Bilal Qoku nga Krraba po jeton në kushte tepër të vështira. Shtëpia e tij është bërë e pabanueshme për shkak të tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit.

Ai ka dy vajza dhe një djalë. Vajzën e madhe e ka të martuar. Ndërsa bashkëshortja e Bilalit është e sëmurë pasi vuan nga depresioni, dhe tërmeti i fundit e ka rënduar më shumë gjendjen e saj shëndetësore. Në këtë shtëpi të rrënuar jeton edhe nëna 84-vjeçare e Bilalit.

Emisioni “E Diela Shqiptare” në Tv Klan pa nga afër kushtet si banon kjo familje. E vetmja gjë që ata kanë për të jetuar, është rroga 200 mijë Lekë të vjetra si roje e Bilalit.

Ky i fundit thotë se e gjithë jeta e tij ka qenë një maratonë vuajtjesh. “Kam mbi 25 vjet që vuaj” shprehet ai. Fati nuk ka qenë fort bujar me të, por Bilali i mban shpresat tek Zoti, që më në fund pas kaq vitesh situata të ndryshojë për mirë.

Bilal Qoku: Unë kam vuajtur gjithë jetën. Jemi rritur jetimë, babai më ka vdekur në ’70-ën. Ka qenë duke punuar, kur i ka rënë një infarkt. Kemi qenë 6 fëmijë, pastaj u martuam të gjithë. Unë ngela këtu sepse kushte nuk kisha.

Kjo është shtëpia e babait?

Bilal Qoku: E babait. U martova, fati nuk… nusja u sëmurë, nga kushtet që kishim. Ishim të varfër. Kaloi në depresion. Pas 1 viti e ca linda fëmijën e parë. Nusja vetëm i jepte gji, më shumë unë e kam rritur fëmijën. I laja rrobat vetë, çdolloj gjëje vetë?

I laje ti?

Bilal Qoku: Nuk kishte kush t’i lante më. Sepse kishim edhe nënën, kishim një lopë. Plaka do ikte ditën, jo lopa, jo kjo, jo ajo. Unë i kam bërë më shumë vetë punët. Edhe për të gatuar vetë. Kur jam në shtëpi, bëj gjellë, kur s’jam unë…

Nusja është e pamundur fare?

Bilal Qoku: Nusja nuk ngrihet, rri shtrirë. Do qetësi, nuk do zhurmë, do të mos e mërzitësh fare. Ka kaluar një depresion shumë të madh. Edhe nusja është bërë në këtë gjendje është sepse i rri mendja tek shtëpia.

Ku ndodhet nusja juaj?

Bilal Qoku: Në spital. E kam çuar dy-tre herë në spital, është shtruar herë pas here, por tani u bë më keq, prej shtëpisë.

Pse si e përjeton ajo këtë pjesën e shtëpisë?

Bilal Qoku: Po ajo aty e ka hallin, vetëm shtëpia thotë. Të kem shtëpi nuk dua gjë tjetër. Unë më tha mund të bëhem edhe më mirë, po të kem shtëpi. Ra tërmeti herën e parë, tani ra prapë, e bëri më keq. Na kanë vënë një çadër, por kushtet nuk janë aq të mira sepse nuk ka as vend asgjë, ku të jetosh, ku të rrish. Shtëpitë janë të pabanueshme.

Më tregoni pak, ju sa fëmijë keni, si është jeta juaj?

Bilal Qoku: Kam 3 fëmijë. Kam një djalë dhe dy vajza. Vajzën e madhe e kam martuar, të dy të tjerët, djalin dhe vajzën tjetër është në shkollë.

Si ia dilni?

Bilal Qoku: Shkoj roje, roje me 200 mijë lekë që marr, me atë do të mbaj familjen, çfarë të bëj. Kam vuajtur gjithmonë, nuk më del, vetëm nëpër spitale për nusen, e duke marrë ilaçe, nuk më del që të ndërtoj e të bëj shtëpi. Edhe kushtet që kam nuk e bëj dot shtëpinë.

Sa vite ka që është e sëmurë nusja?

Bilal Qoku: Që prej ’94 kur jam martuar unë, e deri sot. Por nuk ka qenë kaq keq, ka 5-6 vjet që është bërë në gjendje shumë të keqe. Një herë piu ilaçe, një herë preu duart, herën e fundit piu helm. Kishte pirë helm, po kishte qenë i prishur.

Aktualisht ndodhet në spital prej tërmetit?

Bilal Qoku: Më shumë prej tërmetit, edhe ka thënë që nuk u bë gjë për shtëpinë unë do bëj ndonjë gjë prapë. E vuan shumë pjesën e shtëpisë. Unë nuk kam kushte që të bëj shtëpi vetë.

Natën e 26 Nëntorit ku ishit? Si e përballuat?

Bilal Qoku: Ishim në gjumë. U trembën sepse u shemb edhe oxhaku, një zhurmë e madhe. Dolëm jashtë e dy fëmijët dhe plakën.

Po nëna çfarë moshe ka?

Bilal Qoku: 84 vjeçe. Është në një gjendje, mosha e të gjitha… Ajo do hyzmet, kush t’ia bëjë. Po nuk pate dhe grua që t’i bëjë hyzmet shtëpisë.

Ju jetoni në çadër tani?

Bilal Qoku: Po edhe në çadër kemi ndenjur. Është vend i papërshtashëm, futet shiu. Kemi ndenjur edhe tek kuzhina e vogël se është më ndryshe.

Përse nuk shkoni tek vëllai?

Bilal Qoku: Vëllai ka martuar djalin, ka fëmijët, nuk ka kushte për të ndenjur tek vëllai.

Prej sa vitesh është ndërtuar kjo shtëpi?

Bilal Qoku: Kjo, siç tregojnë, është shtëpia më e vjetër që ekziston, mund të jetë 100-vjeçare. Ka qenë bërë përnjëherë 3-4 shtëpia, ato kanë mbi 20-30 vjet që janë shembur, vetëm kjo ka ngelur. Vëllezërit u ndanë, ikën u martuan, u larguan. Vetëm unë ngela këtu. Unë nuk ika dot prej nuses, gjithë jetën që vuaj nëpër spitale, nëpër hoxha. Edhe nuk pata kushte që të largohesha. Unë sot po vuaj, kam mbi 25 vjet që vuaj.

Ku e ke shpresën?

Bilal Qoku: Unë e shpresën e kam te Zoti në radhë të parë, pastaj tek njeriu. Te njerëzit që mund të më ndihmojnë.

Ardit Gjebrea në studio tregon se Astriti që jeton në Londër, ja lë në dispozicion për një vit shtëpinë që ka në Elbasan, kësaj familjeje.

/tvklan.al