Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar mbrëmjen e sotme me inxhinierë dhe ekspertë të emergjencave civile për situatën e rëndë që ka lënë pas tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.

Në takimin e mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, u diskutua për masat që duhen ndërmarrë për të ardhmen, por edhe për të normalizuar situatën e krijuar.

“Sot mblodha disa nga ekspertët më të mirë të vendit në fushën e emergjencave civile. Pedagogë, inxhinierë, gjeologë, arkitektë, ekspertë të sizmiologjisë dhe të ndërtimit, sugjeruan masat që duhet të marrë Shqipëria për normalizimin e situatës në një kohë sa më të shpejtë dhe gjithashtu masat që duhen marrë për të ardhmen. Propozimet e tyre do të jenë baza për propozimet e Partisë Demokratike për përballimin e situatës.
Shqipëria ka burime të mjaftueshme njerëzore për të evidentuar problematikat dhe për të dhënë zgjidhje, por kërkohet koordinim, mbështetje dhe financim”
, shkruan Lulzim Basha në një postim në Facebook.

Nga tërmeti me magnitudë 6.4 i 26 Nëntorit, humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë. /tvklan.al