Tërmeti me magnitudë 6.8 në Turqi, reagojnë autoritetet shqiptare

Shumë të trishtueshme e cilëson Kryeministri Edi Rama fatkeqësinë nga tërmeti që goditi këtë të premte Turqinë, ndërsa lutet që Zoti t’u japë autoriteteve atje forcën për të përballuar këtë tragjedi.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare shkruajti: “Shumë e trishtueshme fatkeqësia që ra mbi Turqinë mike prej një tërmeti të rëndë, ku janë shënuar edhe jetë të humbura! I jemi pranë popullit turk dhe lutemi që Zoti t’u japë autoriteteve të vendit dhe Presidentit @RTErdogan të gjithë forcën për ta përballuar këtë tragjedi”.

Edhe Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka reagoi mbrëmjen e kësaj të premteje pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter që goditi Turqinë.

“Me mendje e me zemër pranë popullit turk në këto momente tragjedie. Ndajmë me miqtë tanë dhimbjen e çdo shqiptari që nuk mund të harrojë solidaritetin e ndihmën e pakursyer që populli turk na dha në të njëjtën situatë tragjedie. Lutem për sa më pak viktima e të lënduar, nga kjo ngjarje e tmerrshme”, shkruajti Ministrja Xhaçka në një postim në rrjetet sociale.

Më herët, një reagim pati edhe Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

“Të shqetësuar thellësisht pas tërmetit në Turqi. Në këto momente të vështira i gjendemi pranë vëllezërve tanë turq, të prekur nga tërmeti. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për Turqinë”, shkruaji Cakaj.

Të paktën 14 persona humbën jetën ndërsa më qindra të tjerë mbetën të plagosur nga tërmeti që goditi lindjen e Turqisë, këtë të premte. Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën në terren. Autoritetet atje i druhen faktit se numri i jetëve të humbura mund të jetë më i lartë.

Pas tërmetit të 26 Nëntorit që goditi vendin tonë, Turqia ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë për Shqipërinë me angazhimin e menjëhershëm të Presidentit Erdogan./tvklan.al