Në përbërje, 53 mjekë dhe specialistë të kërkim-shpëtimit

Shqipëria i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile,  në përbërje të të cilit janë 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim-shpëtimit si dhe 7 mjete janë nisur drejt Turqisë, ku do të marrin pjesë në operacionet për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.

Teksa përcolli misionin shqiptarë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ndihma ndaj Turqisë është një detyrim për një vend mik që i ka qëndruar afër Shqipërisë në momente të vështira.

“Turqia është një vend mik shumë i rëndësishëm për ne, që na ka mbështetur vazhdimisht. Kështu që në një farë mënyre ky është kthim i kontributit”, u shpreh ministri Peleshi.

Vetë kryeministri ndërsa njoftoi gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë në krah të Turqisë në këto momente të vështira, shprehu ngushëllimet e tij drejtuar familjeve turke që humbën të dashurit nga goditjet e tërmetit që duket sikur nuk kanë të ndalur.

I pikëlluar thellësisht për lajmin e mëngjesit të sotëm për tërmetin shkatërrues që goditi disa pjesë të Turqisë dhe Sirisë. Ngushëllimet tona më të thella për familjet e shumta që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve. Një mision shpëtimi solidariteti do të niset sot për në Turqi”.

Po ashtu, edhe kreu i shtetit në emër të popullit shqiptar shprehu keqardhjen dhe ngushëllimet e tij për popullin dhe autoritetet turke.

Thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme”.

Sali Berisha shfrytëzoi daljen përpara gazetarëve për të shprehur solidaritetin me dhimbjen qe po kalon Turqia nga numri i lartë i viktimave dhe të plagosurve.

Me këtë rast duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave, autoriteteve të vendit, lutemi për shërimin e shpejtë të të plagosurve.”

Kryebashkiaku Veliaj dhe ministrja e Jashtme po ashtu postuan mesazhet e tyre ngushëlluese në Tëitter.

Ndërkohë, si ambasada jonë në Ankara, ashtu dhe konsullata në Stamboll pohojnë se nuk kanë asnjë informacion për ndonjë shtetas shqiptar që ka humbur jetën apo është lënduar gjatë tërmetit. Gjithsesi, Ministria e Jashtme apelon që qytetarët shqiptarë nëse kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë në dy numrat e selive diplomatike në Turqi.

Tv Klan