Basha: Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka shprehur ngushëllimet homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, për jetët e humbura pas tërmetit që goditi Turqinë mbrëmjen e së premtes.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se është duke e ndjekur situatën në Turqinë mike me shqetësim dhe dhimbje të thellë.

“Me shqetësim dhe dhimbje të thellë po ndjek situatën në Turqinë mike, të goditur nga tërmeti tragjik. Shumë i tronditur nga viktimat në njerëz, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve e të dashurve të tyre, të gjithë popullit turk dhe Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke u lutur që të mos ketë të tjera humbje jetësh. Të gjithë të lënduarve nga kjo fatkeqësi natyrore ju uroj shërim sa më të shpejtë. Në këto momente tepër të vështira, unë dhe populli shqiptar jemi në krah Turqisë mike”, shkruan Meta.

Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehu ngushëllimet për viktimat nga tërmeti në Turqi, i cili deri më tani ka shkaktuar mbi 20 viktima. Basha u uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe shpreh solidaritetin me popullin e Turqisë.

“Ngushëllimet e mia më të thella për popullin turk dhe Presidentin Erdogan për viktimat e tërmetit. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave. U urojmë shërim të shpejtë të plagosurve dhe shprehim solidaritetin me popullin e Turqisë”, shkruan kreu i opozitës.

Tërmeti me magnitudë 6.8 të shkallës Rihter ka shkaktuar mbi 20 viktima dhe mijëra të plagosur pasi goditi pjesën lindore të Turqisë. Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa ekipet e kërkim shpëtimit vijojnë punën në terren për shpëtimin e njerëzve që kanë mbetur nën rrënoja./tvklan.al