Indeksi zbret nën mesataren afatgjatë

Besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi shënoi një rënie të ndjeshme për të gjithë sektorët, duke reflektuar kështu pesimizmin që shfaqi në vendin tonë tërmeti i fortë i 26 Nëntorit.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, sektorët kryesorë të ekonomisë reflektuan një rënie të besimit nën mesataren afatgjatë, duke prekur po ashtu edhe besimin e konsumatorëve.

Blerjet e mëdha shënuan një rënie negative në -63 pikë përqindje, më e ulëta në vitet e fundit, edhe pse ky tremujor ishte një periudhë festash, ndërsa situata ekonomike aktuale e tyre reflektoi një përkeqësim të ndjeshëm, më të lartin e të gjithë vitit 2019-ë.

Dy sektorët më të prekur nga pesimizmi në ekonomi sipas raportit të Bankës Qendrore janë tregtia, ku ecuria e shitjeve shënoi një rënie të fortë, -7.7 pikë përqindje dhe shërbimet, të cilët u shprehën për një rënie të theksuar të kërkesës.

Në tkurrje përgjatë kësaj periudhe rezulton edhe industria dhe ndërtimi, por pritshmëritë për të ardhmen dhe rritjen e punësimit në këta sektorë mbeten optimistë. Indeksi i besimit në ekonomi për të gjithë sektorët ra me 12.9 pikë në këtë kohë, duke zhvendosur trajektoren nën mesataren afatgjatë të këtij treguesi.

Tv Klan