Në Maj qeveria do të dalë në tregje për 560 milionë euro

Qeveria do të dalë në tregjet botërore për të kërkuar financimin e një Eurobondi me vlerë 560 milionë euro në Maj të këtij viti. Televizioni Klan ka mësuar se në bazë të llogarive të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nevojat për marrjen e huasë në tregjet globale janë rritur përtej kalkulimeve të bëra gjatë hartimit të buxhetit 2020, për shkak të pasojave që la tërmeti.

Fillimisht programohej që Eurobondi të kishte vlerën e 500 milion eurove, ndërsa tashmë diskutimet janë për rritjen e shumës nga 60 deri në 70 milionë euro të tjera. Përcaktimin final teknikët do ta bëjnë në fund të Shkurtit, pasi të mbahet edhe Konferenca e Donatorëve.

Aktualisht Ministria e Financave po kontrakton një studio ligjore e cila do të bëjë asistencën teknike për thithjen e investitorëve, ndërsa në fillim të muajit Maj, do të dilet në tregje për të emetuar Eurobondin.

Burime pranë këtij institucioni thonë se edhe financimi i projekteve të rindërtimit pas tërmetit kërkon rritje të huamarrjes publike, duke e bërë të pashmangshëm përshpejtimin e procesit për marrjen e borxhit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo është hera e katërt që qeveria po përdor si instrument për marrjen e borxhit daljen në tregjet ndërkombëtare. Risku i Eurobondit lidhet me normën e interesit që ofrojnë investitorët, por nga ana tjetër nuk ezauron fondet e bankave për t’i dhënë borxh qeverisë dhe i jep asaj mundësi të marrë hua në një shumë më të madhe. Herën e fundit, në vitin 2017 norma e interesit të tij shkoi në 3.55% .

Tv Klan