Qeveria ul me 20 milionë € shpenzimet kapitale, zbresin në 4.6% të PBB

Masat e qeverisë për të financuar rindërtimin e shtëpive pas tërmetit kanë prekur buxhetin për investime publike.

Niveli i shpenzimeve kapitale për këtë vit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është më i ulëti në planifikimet e bëra gjatë viteve të fundit.

Nga 4.7% e prodhimit kombëtar që parashikohej në buxhetin fillestar, shpenzimet për investime janë reduktuar në 4.6%, duke u shkurtuar me 20 milionë Eurosh.

Fondet të cilat kanë pësuar reduktimin më të madh janë ato me financim të huaj, për të cilat qeveria paguan tatimin mbi vlerën e shtuar, duke përfshirë edhe ato që investojnë programet për energjinë elektrike.

Nga 83.8 miliardë Lekë, shpenzimet kapitale për këtë vit u ulën në 81.6 miliardë.

Investimet kapitale janë një nga zërat më të rëndësishëm në buxhetin e shtetit, pasi financojnë punime në infrastrukturë të cilat japin impakt në ekonomi.

Buxheti 2020 shtyn deri në vitin 2023 përfundimin e disa akseve rrugore, siç janë ai Kardhiq – Delvinë dhe Unaza e Madhe e Tiranës.

Edhe në 2019-ën, fondet për shpenzime kapitale nuk u përdorën të gjitha nga agjencitë shtetërore. Për 11 muajt e këtij viti, institucionet shpenzuan 214 milionë Euro më pak për këtë zë në buxhet.

Tv Klan