Për rreth 40 minuta, mbrëmjen e së dielës disa zona të Tiranës mbetën pa energji elektrike. Shkak dyshohet se është bërë dëmtimi i qëllimshëm i linjës 110 kV të OST, në zonën pranë Babrrusë, duke nxjerrë jashtë pune nënstacionet Traktora, Kinostudio e Ibë. Në një reagim gjatë ditës së sotme, OSHEE sqaron se shkak për këtë ndërprerje është janë bërë të shtënat me armë, që dyshohet të ketë qenë një veprim i qëllimshëm. Megjithatë, OSHEE thotë se masat e marra bënë të mundur një organizim dhe reagim të shpejtë për menaxhimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike. 

“Është për t’u theksuar fakti i normalizimit të rrjetit në zonën e Nst Traktora brenda 40 minutash, pas ndërprerjes që ndodhi nga dëmtimi i linjës 110 kV të OST. 

Për ngjarjen e kësaj të fundit, OST ka kryer denoncim në polici në Komisariatin Nr 4, pasi të dhënat paraprake tregojnë së linja e OST dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri, pasi është gjetur gëzhojë”,

thuhet në njoftim. 

 

 

 

Gjatë 24 orëve të fundit dhe në vijim OSHEE është vendosur plotësisht në gatishmëri, me 1800 punonjës në të gjithë vendin. Për të parë nga afër situatën dhe udhëzuar strukturat e posaçme, Administratori i OSHEE, Adrian Çela zhvilloi një inspektim në dispecerinë rajonale të Drejtorisë OSHEE, Tiranë. Operatori i Shpërndarjes sqaron se aktualisht situata e furnizimit me energji elektrike paraqitet tejet normale.

/tvklan.al