Zjarrfikësit: E pamundur vënia nën kontroll e flakëve edhe për shkak të bimësisë

Ndonëse prej më shumë se dy javësh po punohet nga toka dhe ajri, sërish situata me zjarret në “Majën e Rrunës“, vijon të mbetet kritike. Flakët vijojnë të djegin bjeshkët e zonës Malzi të Kukësit.

Gafurr Rexha, Shef i Shërbimit Zjarrëfikës në Bashkinë Kukës, shprehet se terreni i vështirë malor dhe lënda halore që po digjet në “Majën e Rrunës” vështirësojnë vënien në kontroll të situatës.

“Terreni është mjaft i vështirë, aktiviteti ku ushtron kjo vatër zjarri është në një terren super të vështirë, ndërhyrje ka pasur dhe nga ajri dhe nga toka, por lënda që digjet atje është një lëndë halore, është një pjerrësi shumë e madhe, bari është shumë i thahtë”, është shprehur Shef i Shërbimit Zjarrfikës, Gafurr Rexha.

Problematike është situata edhe në vendin e quajtur stanet e fshatit Morinë në zonën e mbrojtur të parkut natyror Korab-Koritnik. Rexha thotë se vatra e zjarrit e shfaqur të enjten në mesditë në këto bjeshkë e ka burimin nga Kosova dhe po punohet për neutralizimin e saj.

“Është bërë deri diku izolimi i saj, por nuk është neutralizuar e tërë vatra, gjë për të cilën ajo dhe sot është aktive, por forcat janë atje në terren”, është shprehur Gafurr Rexha.

Ndërkohë situata në zonën e Tropojës dhe Hasi paraqitet e qetë dhe pa probleme nga zjarret. 

Klan News