Kryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar sot më 9 tetor, pas miratimit në parlament të reformës territoriale, e cila kaloi me 85 vota pro.
Sipas kryeministrit, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese.
Kreu i qeverisë thekson se votimi i mbrëmshëm i Territoriales u tregoi deputetëve opozitarë, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.
Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese🇦🇱 Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste🌹
— Edi Rama (@ediramaal) October 9, 2026
Kryeministri Edi Rama reagim në platformën X:
Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese
Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste
Me 85 vota pro, Kuvendi votoi pas një seance maratonë hartën e re territoriale me 46 bashki, një nismë e kundërshtuar nga opozita. Në seancë ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Votën pro e dha edhe deputeti Erion Braçe.
Siç kishte paralajmëruar përgjatë ditës së djeshme, opozita protestoi brenda dhe jashtë Kuvendit. Në momentin e votimit, deputetët opozitarë bllokuan foltoren dhe hodhën sende në drejtim të kryeministrit.
Gjithashtu, reforma e re e ndarjes territoriale shkaktoi përplasje brenda Partisë Socialiste, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar përpara votimit në Kuvend.
Deputeti Erion Braçe kundërshtoi hapur projektin dhe pati debat me kryeministrin Edi Rama, i cili e paralajmëroi se votimi kundër do të sillte largimin e tij nga grupi. Rezerva për hartën e re shprehën edhe deputetët Vullnet Sinaj dhe Elisa Spiropali.
Megjithatë, në momentin e votimit, të tre deputetët votuan pro, duke iu bindur qëndrimit të shumicës së grupit socialist. Reforma parashikon heqjen e 15 bashkive dhe reduktimin e numrit të tyre në 46.
Ministri Demo: Reforma territoriale duhet të shoqërohet me një proces të qartë decentralizimi
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo ka përshëndetur miratimin e Reformës së re Territoriale, e cila do të përbëhet nga 46 bashki.
Ai theksoi se qëllimi i kësaj reforme është që të krijojë bashki më të forta dhe shërbime më të mira pranë qytetarëve.
Sipas ministrit, kjo reformë duhet të shoqërohet me një proces të qartë decentralizimi
“Reforma territoriale ka një qëllim të qartë: bashki më të forta, shërbime më të mira dhe institucione më pranë qytetarëve. Suksesi i saj do të matet jo vetëm me ndryshimet institucionale, por mbi të gjitha me rezultatet konkrete në jetën e përditshme të çdo komuniteti.
Reforma territoriale duhet të shoqërohet me një proces të qartë decentralizimi, për të ndërtuar bashki më të forta, më funksionale dhe më pranë qytetarëve. Përpara nesh është një punë e rëndësishme që duhet të nisë me një analizë të detajuar të funksioneve dhe përgjegjësive të bashkive: çfarë funksionon, çfarë duhet përmirësuar, cilat kompetenca duhen forcuar dhe cilat shërbime mund të ofrohen më mirë në nivel vendor.
Decentralizimi nuk është thjesht transferim kompetencash. Ai duhet të shoqërohet me burime financiare, kapacitete administrative dhe mekanizma të qartë llogaridhënieje.
Synimi ynë është një pushtet vendor me më shumë autonomi, por edhe me më shumë përgjegjësi për cilësinë e shërbimeve që u ofron qytetarëve. Suksesi i reformës nuk do të matet me numrin e bashkive apo me ndryshimet në hartë, por me atë që ndryshon realisht në jetën e qytetarëve”, u shpreh ministri i Brendshëm.












Botërori 2026 