“Opozita nuk jep asnjë argument për propozimin e saj”

Mazhoranca u dakordësua me demokratët për të marrë edhe tre javë kohë për të përmbyllur konkluzionet e punës së Komisionit të Reformës Territoriale, që do të dalë gjithesesi dy me dy raporte, siç pohon bashkëkryetarja socialiste Anila Denaj. Kjo pasi ata nuk bien dakort me propozimin e opozitës për të shtuar numrin e bashkive pa sjellë më parë asnjë kriter mbi të cilin kërkojnë të ndryshohet harta administrative e 2015.

“Do jenë 2 raporte. Ata thonë ka dështuar, po nuk japin argumentat dhe kritere mbi ç’bazë duhet shkuar drejt shtimit të bashkive.”

Denaj pohon se shkuarja drejt numrit 92, siç kërkon opozita është i papranueshëm, por ajo lë hapësira të kuptohet se mund të ketë një korrigjim të hartës për një numër shumë të vogël bashkish.

“Të vijnë të na thonë kriteret dhe ok për dy apo tre bashki që mund të ketë vërtetë nevojë bazuar mbi argumenta që do sjellin.”

Për kalimin nga 12 qarqe në 6 rajone, propozim prapë i demokratëve, Denaj mendon se kërkon diskutim më të thellë dhe gjithëpërfshirës.

Denaj pranon se në tryezën e komisionit ulen si përfaqësues të forcave politike, por propozimet nuk duhet të vijnë vetëm si interesa elektorale.

Mandat i ri i miratuar nga Parlamenti i jep afat deri në 21 Tetor Komisionit të  Posaçëm të përmbyllyë punën për reformën territoriale.

Tv Klan