Forcat speciale vrasin 71-vjeçarin në Elbasan

Foto nga vendngjarja

Forcat speciale vrasin 71-vjeçarin në Elbasan

17:59 24/09/2020

Pas më shumë se 5 orësh, forcat speciale të RENEA-s kanë ekzekutuar 71-vjeçarin Lefter Zhidru në Elbasan, që qëndronte i ngujuar brenda banesës në katin e dytë të një pallati dhe qëllonte me armë ndaj policisë.

RENEA ndërhyri brenda apartamentit ku po qëndronte 71-vjeçari duke shpërthyer derën kryesore dhe më pas përdori gaz lotësjellës dhe tymyese. Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale, 71-vjeçari qëlloi sërish me armë ndaj policisë duke rrezikuar jetën e efektivëve të RENEA-s. Këta të fundit u kundërpërgjigjën gjithashtu me armë, duke ekzekutuar në vend Lefter Zhidrun.

Situata e terrorit në lagjen “11 Nëntorit” të Elbasanit vijoi prej 5 orësh, pasi 71-vjeçari refuzonte të dorëzohej edhe pas thirrjeve të policisë. Ai vijoi rezistencën duke qëlluar disa herë me breshëri kallashnikovi, madje duke plagosur edhe dy kalimtarë, të cilët për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën.

PASOJAT E “LUFTËS”:

Këto janë pasojat e shkëmbimit të zjarrit mes forcave speciale “RENEA” dhe 71-vjeçarit Lefter Zhidru në Elbasan.

Kjo mburojë metalike e forcave speciale është bërë “shoshë” nga plumbat e kallashnikovit të 71-vjeçarit gjatë ndërhyrjes së RENEA-s brenda apartamentit ku qëndronte i ngujuar Lefter Zhidru.

Ndërhyrja brenda banesës u bë rreth orës 18:00, kur RENEA shpërtheu me eksploziv derën e apartamentit dhe hodhi tymuese dhe gaz lotësjellës drejt Lefter Zhidrut. Ky i fundit nuk u dorëzua dhe qëlloi sërish me armë efektivët e forcave speciale.

Ndërhyrja u bë nga ana e efektivit të RENEA-s që mbante këtë mburojë metalike, që siç duket nga kjo foto, ka marrë 8 plumba. Më pas, ndërhynë forcat e tjera duke bërë të mundur eleminimin fizik të 71-vjeçarit. Lefter Zhidru u ekzekutua për vdekje. Për fat të mirë, asnjë punonjës policie nuk u lëndua nga të shtënat me armë zjarri.

ÇFARË U GJET BRENDA BANESËS:

Mësohet se Lefter Zhidru ka pasur sasi të madhe municioni luftarak. Gjithashtu, 71-vjeçari ka qenë i pajisur edhe me lëndë shpërthyese. Brenda banesës së tij, policia gjeti disa kallëpe me tritol të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Në vendngjarje grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, vijon punën për mbledhjen dhe dokumentimin e të gjitha provave. Hetimet e mëvonshme pritet të hedhin dritë edhe mbi faktin se ku e ka siguruar municionin luftarak dhe kallëpet e tritolit 71-vjeçari Lefter Zhidru.

SI NISI NGJARJA:

Rreth orës 13:00 u raportua për një konflikt në familje në lagjen “11 Nëntorit”. 71-vjeçari Lefter Zhidru kishte shkuar në banesën e ish-gruas dhe ishte konfliktuar me të. E pranishme brenda shtëpisë ka qenë edhe vajza 14-vjeçare e çiftit. Ish-gruaja e Lefter Zhidru njoftoi policinë, dhe sapo forcat “Shqiponja” shkuan në vendngjarje për të sqaruar këtë konflikt në familje, 71-vjeçari mori armën dhe nisi të qëllonte ndaj tyre. Për fat të mirë, forcat “Shqiponja” u shmangën dhe i shpëtuan plumbave. Uniformat blu evakuuan menjëherë ish-gruan e të moshuarit dhe vajzën e tyre 14-vjeçare. Ndërsa Lefter Zhidru u ngujua brenda banesës dhe nisi të qëllonte me armë. Nga të shtënat u plagosën edhe dy kalimtarë në rrugë, Abdenauer Kodraxhiu 21 vjeç dhe Ledjo Saraçi 22 vjeç, të dy jashtë rrezikut për jetën.

BLINDOHET LAGJIA “11 NËNTORI”:

Pas situatës së terrorit, Policia e Elbasanit rrethoi tërësisht bllokun e pallateve në lagjen “11 Nëntorit” ku qëndronte Lefter Zhidru brenda banesës së ish-gruas. Në ndihmë të bluve të Elbasanit, shkoi RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Perimetri i sigurisë ishte zgjeruar për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste kjo situatë. Negociatori i policisë i bëri disa herë thirrje 71-vjeçarit Zhidru që të dorëzohej, por ky i fundit refuzonte. Madje herë pas here qëllonte me kallashnikov duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve të policisë. Rezistenca e Lefter Zhidru vijoi prej 5 orësh, deri në orën 18:00 kur forcat speciale të RENEA-s ndërhynë brenda banesës duke përdorur eksploziv për të shpërthyer derën e apartamentit dhe gaz lotësjellës për të neutralizuar 71-vjeçarin. Edhe në këtë moment, i moshuari u kundërpërgjigj me armë, por nga shkëmbimi i zjarri mbeti i vdekur. Forcat RENEA e ekzekutuan gjatë aksionit për ndërhyrjen brenda banesës. Operacioni u ndoq nga afër nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe të tjerë zyrtarë të lartë të policisë.

ORA 15:30 – RAPORTIMI NGA VENDNGJARJA I GAZETARIT DRIÇIM ÇAKA:

/ tvklan.al



Të ngjashme