Australiani Brenton Tarrant, i akuzuari për vrasjen e 50 personave muajin e kaluar në dy xhami në Zelandë të Re, është urdhëruar që të kryejë teste për gjendjen e shëndetit të tij mendor.

Ekspertët do të vlerësojnë nëse ai është në gjendje të mirë mendore për t’u gjykuar, ka thënë gjyqtari Cameron Mander. I dyshuari përballet me 50 akuza për vrasje dhe 39 tentativë vrasje. Tarrant 28 vjeç, i cili e ka përshkruar veten si supremacist të bardhë, është paraqitur para gjykatës, derisa në seancë kanë qenë edhe familjarët e viktimave.

Ky sulm njëherësh është cilësuar më i përgjakshmi në Zelandën e Re. Kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern e pati cilësuar ditën e sulmit si “një nga ditët më të rënda” për Zelandën e Re. Ajo është zotuar për të ndaluar përdorimin e të gjitha armëve gjysmë-automatike dhe pushkëve me shënjestrim. /REL