abc_obama_1_100831_wg

Presidenti amerikan, Barak Obama, në një fjalim të rrallë nga Dhoma Ovale,  iu drejtua amerikanëve pas ngjarjes në San Bernardino, gjatë të cilës humbën jetën 14 persona. Ai tha se “vrasja e tyre është një akt terrorizmi” dhe bëri thirrje për një “fazë të re në luftën kundër militantizmit islamik”.

Barak Obama, President i Shteteve të Bashkuara: “Deri tani nuk kemi fakte se vrasësit u drejtuan nga një organizatë terroriste jashtë vendit, ose ishin pjesë një komploti më të gjerë në vend. Kësisoj, ky është një akt terrorizmi që ka si qëllim të vrasë njerëz të pafajshëm.”

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e etiketojë Shtetin Islamik si kriminelë dhe vrasës.

Barak Obama, President i Shteteve të Bashkuara: “Kërcënimi nga terrorizmi është i vërtetë, por ne do ta tejkalojmë. Ne do të shkatërrojmë ISIS dhe çdo organizatë që përpiqet të na dëmtojnë”.

Fjalimi, sipas mediave amerikane, reflekton ankthin në rritje për përballjen e mundshme me grupin ekstremist në SHBA. Përmes tij, Obama u përpoq të rrëzonte kritikat se ai nuk veproi vendosmërisht për të siguruar Shtetet e Bashkuara nga ISIS-i, por pa paraqitur një ndryshim të madh në strategjinë e tij.

Presidenti amerikan i bëri thirrje Kongresit të vendosë kufizime në shitjen e armëve dhe urdhëroi rishikimin e programit të vizave, i cili kishte mundësuar hyrjen në SHBA të gruas së Sajed Faruk, bashkëautore e sulmit me arme në San Bernardino të Kalifornisë.

Ky është fjalimi i tretë i Presidentit amerikan Barak Obama nga Dhoma Ovale, nga ku flitet për ngjarje të një rëndësie kombëtare.

Tv Klan