Prodhuesi i automjeteve elektrike Tesla po planifikon të prodhojë një brez të ri të baterive që do të jenë më të fuqishme, më të qëndrueshme dhe më të lira sesa qelizat aktuale të kompanisë. Bateritë e reja cilindrike të Tesla, të quajtura 4680, do të sigurojnë pesë herë më shumë energji, do të kenë gjashtë herë më shumë fuqi dhe 16% diapazon më të madh drejtimi, tha të martën CEO i Tesla Inc, Elon Musk, duke shtuar se prodhimi i plotë i tyre do të realizohet brenda tre vitesh.

Musk tha se është i vetëdijshëm që kompania nuk ka një makinë me çmim të përballueshëm dhe siguroi që me uljen e kostos së baterive, do të kemi në të ardhmen makina më të lira elektrike. Për të ndihmuar në uljen e kostos, ai tha se Tesla planifikon të riciklojë qelizat e baterisë në “gigafactory” të Nevadas, duke reduktuar pothuajse në zero kobaltin, i cili është një nga materialet më të shtrenjta që përmban bateria për automjetet elektrike.

Tesla do të prodhojë qelizat e reja të baterisë fillimisht në një linjë të re montimi pranë fabrikës së saj të automjeteve në Fremont, California, me një prodhim të planifikuar të arrijë deri në 10 gigavat për orë deri në fund të vitit 2021.

Tesla dhe partneri Panasonic Corp tani kanë një kapacitet prodhimi prej rreth 35 gWh, në “gigafactory” në Nevada. Gjatë viteve të ardhshme, synohet të rritet me një shpejtësi të madhe prodhimi i baterisë në 3 terravat për orë ose 3,000 gigavat për orë, që i bie të rritet afërsisht 85 herë më shumë se sa është tani kapaciteti i prodhimit në fabrikën që ndodhet në Nevada.

Nënkryetari i kabllove dhe inxhinierisë së energjisë, Drew Baglino, nga kompania Tesla, tha se qelizat e reja do të prodhohen përmes një procesi mjaft të automatizuar, me lëvizje të vazhdueshme. Ai gjithashtu tregoi se planifikohet që prodhimi i këtyre baterive të bëhet në disa fabrika që kanë një sistem shumë të automatizuar. Në hapjen e veprimtarisë të martën, e cila tërhoqi mbi 270,000 shikues në internet, Musk eci në skenë me një bluzë të zezë dhe xhinse ndërsa rreth 240 aksionarët, secili i ulur në një Tesla Model 3 në parkingun e kompanisë, u binin borive të makinave në shenjë miratimi.

Përpara ngjarjes, aksionet e Tesla-s, patën një rënie prej 5.6%, pasi Musk shkroi të hënën vonë se përmirësimet e baterisë që do të zbuloheshin të nesërmen nuk do të arrinin “prodhim serioz dhe me vëllim të lartë” deri në vitin 2022, duke pranuar që Tesla nuk e ka plotësisht të kompletuar projektin për prodhimin e baterisë së re.

Ndërkohë që prodhuesit e automjeteve kalojnë nga kuaj-fuqi në kilovat për të respektuar rregulloret mjedisore, investitorët po kërkojnë prova që Tesla mund të rrisë epërsinë e saj në teknologjinë e elektrifikimit ndaj prodhuesve të automjeteve që gjenerojnë shumicën e shitjeve dhe fitimeve të tyre nga automjetet me motor me djegie. Edhe pse çmimet mesatare të automjeteve elektrike janë ulur në vitet e fundit falë ndryshimeve në përbërjen e baterisë, ato vazhdojnë të jenë më të shtrenjta se makinat konvencionale.

Vetëm bateria e një makine elektrike vlerësohet të përbëjë një të katërtën deri në një të tretën e kostos totale të saj. Tesla aktualisht prodhon bateri në partneritet me Panasonic të Japonisë në fabrikën e saj prej 5 miliardë dollarësh Nevada, dhe gjithashtu po ndërton strukturën e saj të prodhimit të qelizave në një fabrikë të re në Gjermani përveç fabrikës që ka në Fremont./tvklan.al