Po zhvillohet në Itali, mund të përdoret në fund të shkurtit

Virologët italianë janë duke zhvilluar një test të shpejtë për të identifikuar, përveçse rastet e infektimeve me COVID, por edhe llojin e mutacionit të virusit që shkakton infektimin tek individët.

Testi i ri quhet PCR Multiplex pasi bazohet tek metoda PCR e identifikimit të rasteve të infektimeve. Përmes tamponëve, ky test, ashtu si PCR zbulon me analiza molekulare infektimin nga koronavirusi. Faza shtesë është këqyrja në brendësi të gjeneve përmes sondave molekulare të pajisura me molekula fluoreshente, të cilat bëjnë edhe identifikimin e llojit të mutacionit të pësuar nga gjeni.

Ky test është në gjendje të zbulojë si mutacionin britanik që tashmë është përhapur gjerësisht nëpër Evropë, ashtu edhe variantin brazilian dhe afrikano-jugor. Testi është ende në faza zhvillimi dhe mbetet për t’u përcaktuar periudha e nevojshme për nxjerrjen e një përgjigjeje që mund të jetë brenda disa orëve.

Metoda e re është zhvilluar nga një laborator privat në bashkëpunim me Universitetin Bicocca të Milanos dhe mund të nisë përdorimin që në fund të këtij muaji.

Tv Klan