Policia kufitare në Rinas zbulon skemën, klinikat mjekësore mohojnë të kenë lëshuar përgjigjet e tamponëve

10 persona janë proceduar nga policia kufitare në aeroportin e Rinasit, në tentativë për të kaluar kufirin me test të falsifikuar të COVID-19. Qytetarët do i përdornin testet për të udhëtuar në shtete të tjera, ku është i detyrueshëm tamponi negativ jo më i vjetër se 72 orë.

Të gjithë personat e proceduar janë nga qyteti i Shkodrës. Ata akuzohen për falsifikim të formularëve, vulave ose i stampave.

Konstatimi i tyre u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative se persona të ndryshëm po përdorin teste të falsifikuara të COVID-19. Nisur nga kjo situatë policia kufitare ka bërë një kontroll dhe verifikim më të hollësishëm të dokumentacionit dhe të testeve.

Për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me testet e falsifikuara, shërbimet e policisë bashkëpunuan dhe me klinikat mjekësore që lëshojnë këto teste.

Pas procedimit të tyre nga ana e policisë kufitare të Rinasit, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.

Klan News