Kur ka kaluar rreth një muaj nga anulimi i provimit për fitimin e gradës “Komisar”, Sindikata e Policisë së Shtetit ka depozituar një padi në gjykatë.

Përfaqësuesit e sindikatës kërkojnë që Gjykata Administrative të shpallë të pavlefshëm anulimit e testimit të zhvilluar në datë 7 Nëntor pas urdhërit të drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu që shpalli testin të pavlefshëm me argumentin se ishte kopjuar gjatë testimit.

Në përfundim të testit të datës 7 Nëntor rezultuan fitues 177 oficerë policie. Me anulimin e procesit, u zhvillua testi i dytë më datë 20, 21 dhe 22 Nëntor në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve nën masa të rrepta sigurie.

Por sindikata hedh dyshime se edhe ky provim është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi duhej të organizohej në një ditë të vetme.

Testi u bë me kompjuter dhe kanë marrë pjesë 470 oficerë policie që konkurronin për gradën komisar  për 130 vendet vakante. Nëse Gjykata do t’i japë të drejtë sindikatës, do të mbeten në fuqi rezultatet e datës 7 Nëntor.

Përveç testit për “Komisar” edhe për testin e një grade më të lartë si ajo e Kryekomisarit, që u zhvillua më 12 Nëntor, ka patur ankesa në Sindikatën e Policisë, pasi mënyra e strukturimit të tezës është ndryshuar pa paralajmërim në momentin e fundit.

Tv Klan