Të parat zbresin në fushë femrat e Vllaznisë dhe Aplonisë

Ndeshja mes Vllaznisë dhe Apolonisë për femra ishte një test për stadiumin e ri ku më 17 Nëntor do të luhet ndeshja me Francën. Ky takim ishte i hapur edhe për publikun.

Disa mijëra spektatorë ishin të pranishëm në tribunat e shtëpisë së re të kombëtares. Një pamje më e mirë në të gjithë vendet. Nga tifozët ultras e deri te kuriozët ndoqën këtë sfidë, por edhe panë stadiumin e ri të parët.

Hyrja e tyre u bë në kalimet e përcaktuara ku vetëm me anë të barkodit të biletës kaloje në ambientet e brendshme. Të parat ishin futbollistet që e prekën fushën. Arbiona Bajraktari e Vllaznisë festoi golin e parë në këtë arenë të futbollit ku shkodranet fituan 2-0.

Nuk mund të mungonte në këtë ndeshje testuese, presidenti i Federatës Armand Duka. Sistemi i ndriçimit, i zërit, lëvizja e shikuesve dhe ekipeve u testua për herë të parë.

Ndeshja e të dielës së ardhshme është tepër e rëndësishme dhe gjithçka duhet të jetë perfekte, pasi mik do të jetë skuadra kampione e botës në fuqi. Impiant i ri pritet të mbajë emrin “Air Albania” Stadium.

Tv Klan