Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar këtë të shtunë se nuk e ka pritur që mes partive kryesore politike të kishte kaq kundërshtim për fletën e votimit. Kryekomisioneri tha përpara gazetarëve se është momenti që palët të kuptojnë se tashmë më shumë rëndësi ka koha se sa mënyra si është organizuar fleta e votimit.

Celibashi tha se shpreson që palët të mos e ankimojnë vendimin e KAS-it për fletën e votimit. Megjithatë edhe nëse e bëjnë, ai u bëri thirrje anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që të shprehen sa më parë për këtë çështje.

“Çdo ditë që humbasim në lidhje me atë se si do të jetë forma dhe përmbajtja e fletës së votimit natyrshëm që ndikon në proces në tërësi sepse do të duhet që votuesit shqiptarë të keni dijeni si do të jetë fleta e votimit, që KQZ-ja të zhvillojë fushatën informuese dhe edukuese si do të bëhet plotësimi i fletës së votimit. Nuk kam pritur që do të kishte kaq kundërshtim mes palëve për mënyrën e përmbajtjes së fletës së votimit dhe formës së saj. Tashmë jemi në këtë situatë dhe të shpresojmë që palët të kuptojnë që më e rëndësishme është koha në këto momente se sa si është organizuar fleta e votimit.

Po mund të krijojë vonesë nëse humbasim akoma ditë, shpresoj që KAS të vendosë sot. Të shpresojmë dhe do të uroja që të kishte një konsensus mbi vendimmarrjen e KAS-it. Nuk e patën këtë konsensus mbi vendimmarrjen e Komisionerit Shtetëror. Nëse do të jetë rasti që vendimin e KAS-IT partitë do ta ankimojnë në Kolegj gjej rastin ti bëj thirrje publike anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që pa cënuar pavarësinë e tyre në këtë çështje ta shqyrtojnë sa më parë pavarësisht vendimit që do të marrin që jemi të detyruar ta respektojmë dhe askush nuk mundet ta gjykojë vendimin e tyre. Nëse është mundësia, në ditën më të parë të mundshme të kenë mundësi ta shqyrtojnë ankimin nëse do të jetë rasti”, tha Celibashi.

Kryekomisioneri ndodhej në shkollën “Qemal Stafa” në tiranë, aty ku u testua votimi elektronik, duke qenë se kjo zonë është pjesë e projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik. Sipas Celibashit pajisa e votimit është e thjeshtë  dhe votuesit do ta kenë të lehtë që të orientohen. Ai u shpreh se rezultati zgjedhor teknikisht është i mundshëm që të dalë për 30 minuta ose 1 orë për këtë zonë, por ende po diskutohet, pasi sipas disa palëve politike kjo mund të ndikojë negativisht për pjesën tjetër të procesit të numërimit.

“Teknikisht kjo është e mundur, pasi në një kohë prej 30 minutash ose 1 orë e kemi rezultatin zgjedhor. Jemi duke diskutuar dhe duke u konsultuar me partitë politike, për a vendosur nëse do të ishte e dobishme që rezultatin ta shpallnim në momentin e parë sapo makina na e bën të ditur apo të presim pak kohë më shumë pasi dikush mendon që rezultati që do të marrin nga njësia 10 mund të afektojë jo mirën në procesin e numërimit. Nga pikëpamja teknike mund të shpallet menjëherë”, u shpreh Celibashi./tvklan.al