Fitore me aromë Europiane për Teutën. Durrsakët thyen 1-0 Egnatian dhe tashmë sigurimi në fazat e kualifikimit në Conference League kthehet në mision tejet të mundur për ta. Ekipi i Edi Martinit iu fal një goli të Lorenco Vilës për të triumfuar në “Niko Dovana” dhe merr një tre pikësh që i ngjit në vendin e katërt me 48 pikë.

Në barazim 1-1 u mbyll dueli mes Vllaznisë dhe Laçit, me shkodranët që mbajnë gjallë shpresat për turnet ndërkombëtar. Ekipi i Seldoski gjendet me një pikë pas Teutës dhe kërkon biletën Europiane ndaj Bylisit në duelin e fundit, me ballshiotët që mbeten në garë për të mbijetuar në Superligën shqiptare.

Në barazim përfundoi edhe përballja mes Kukësit dhe Erzenit, dy ekipe që ende nuk kanë mësuar verdiktet e këtij sezoni. Verilindorët duhet të shmangin pozicionin play-out pasi kanë 2 pikë më shumë se Erzeni i këtij vendi, ndërsa shijakasit tashëm kërkojnë pikët për të luajtur shanset e qëndrimit në kategori edhe në sezonin e ardhshëm.

Klan News