Teuta i shkaktoi humbjen e parë sezonale Skënderbeut në shtëpi. Një sfidë që i pati të gjitha, penallti të humbur, karton të kuq dhe gola të anuluar. Durrsakët fituan 1 – 0 me golin e Camarra në minutën 33’. Teuta mbeti me 10 futbollistë, pasi Beqja mori karton të kuq pasi shkaktoi 11-metërsh. Aliti shpërdoroi këtë mundësi në fundin e pjesës së parë. Goditja e tij u prit nga Hidi.

Përpjekjet e korçarëve ishin të vazhdueshme madje iu anuluan gola për pozicion të parregullt dhe ndërhyrje në sulm. Festa në fund ishte e Bledi Shkëmbit që mundi për të dytën herë këtë sezon ekipin ku arriti shumë suksese si futbollist. Kukësi fitoi 1 – 0 sfidën në fushën e Luftëtarit. Një ndeshje e vendosur në minutat e fundit me golin e Et’hemit. Vendasit mbetën me 10 futbollistë në fillimin e pjesës së dytë pas kartonit të kuq të marrë nga kapiteni Ramadani. Fitorja mban Kukësin pranë kreut, ndërsa Luftëtari mbetet në të njëjtin pozicion në renditje.

Tv Klan