Ka shumë vite që këndon në skenat shqiptare dhe jo vetëm. Teuta Tenolli ka nisur të këndojë që në shkollën 8-vjeçare. Ka qenë pjesë e aktiviteteve që zhvilloheshin në Pallatin e Pionerit në atë kohë, ku edhe ka fituar dy çmime të para.

Më pas përfundoi  Institutin e Arteve edhe pse dëshira e saj më e madhe ka qenë të studiojë frëngjisht. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Arteve Teuta bëhet pjesë e Operas dhe më pas u shkëput me Asamblin Popullor, ku ishte pjesëmarrëse në turne të shumta jashtë vendit.

E ftuar sot në emisioni “Rudina” në Tv Klan, Tenolli tregoi vështirësitë e shkëputjes nga muzika lirike në atë popullore.

“Pasi mbarova shkollën më thanë që do të këndoja muzikë popullore dhe jo lirike. Nisa të bëj turne nëpër vende të ndryshme dhe u shkëputa nga opera. Është më pak e lodhshme të merresh me muzikën popullore. Muzika lirike nuk është shumë e promovuar, ndryshe nga muzika popullore. Në fillim kur nisa të merrem me muzikë popullore e kam pasur shumë të vështirë, nuk dija të mbaja mikrofonin, këndoja me nota shumë të larta sepse isha mësuar me muzikën lirike, por tani mund të them që kam arritur në natyralitetin e zërit tim”, tha Tenolli./tvklan.al