Kampionët e nisin me fitore kampionatin, VAR nuk e ndihmon Partizanin

Teuta i gëzohet një fitoreje të rëndësishme në ndeshjen hapesë të edicionit të 83-të të Kategorisë Superiore.

“Djemtë e Detit” fituan ndaj Partizanit minimalisht në “Elbasan Arena”, në një ndeshje ku emocionet nuk munguan.

“Demat e kuq” bënë dy gabime që iu kushtuan në këtë përballje të rëndësishme.

Nga ana tjetër, durrsakët  ishin të saktë në momentet kyçe dhe të pakalueshëm në mbrojtje.

Goli i vetëm i takimit u shënua në mintuën e 18 me autor Pepi Georgievin, i cili realizoi për Teutën, pas gabimit të portierit Alban Hoxha.

Një episod i rëndësishëm i takimit ishte në minutën e 55.

Pas kontrollit me sistemin VAR, arbitri i takimit Xhaja akordoi penallti për “Demat e kuq”, pasi mbrojtësi Ivanoviç preku topin me dorë.

Nga pika e bardhë, Stenio Junior gjuajti jashtë penalltinë e parë të akorduar nga sitemi VAR në futbollin shqiptar.

Deri në fund të takimit, Partizani u përpoq të gjente golin, por Teuta u mbrojt saktë.

Sfidat e tjera të kategorisë së më të mirave në vend në javën e parë të saj janë Tirana-Skënderbeu; Laçi-Vllaznia; Kastrioti – Dinamo dhe Egnatia – Kukësi.

Klan News