Pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” ka qenë Kristiana e cila ka treguar se në 2014 ajo ishte e sëmurë gjatë shtatzënisë dhe nuk i dhanë asnjë shpresë. Më pas shkoi në Itali tek tezja e burrit që i ofroi ndihmë pa kushte dhe që i shpëtoi jetën.

Kristiana ka treguar se edhe mjekët italianë nuk i dhanë shpresa për jetën dhe i thanë se do kishte vetëm 1 muaj jetë nëse trupi i saj nuk do e pranonte trajtimin që do merrte. Por për fatin e saj të mirë ajo arriti ta lindte djalin shëndoshë e mirë dhe kjo veç për hir të tezes së burrit e cila, kishte problemet e veta shëndetësore dhe nuk e la pas dorë Kristianën.

Kristiana: Kështu kaluan shumë muaj, më datën 3 Prill unë solla në jetë djalin tim Alesion. Për fat të mirë çdo gjë shkoi shumë mirë, unë mbaj mend vetëm momentin që kam dalë nga salla, fjalët e tezes dhe dorën e saj mbi kokën time, e më thotë Kristian ia ke dalë, djali ka lindur shëndoshë e mirë. Ajo është një person dhe edhe për vete ka shumë probleme shëndetësore, vuan nga një sëmundje që këtu nuk është shumë e njohur dhe ka bërë disa operacione.

Gjëja më mua më ka prekur më shumë është se unë nuk e kam ditur në atë periudhë që kam qenë atje, por ajo ka shtyrë operimin e saj gjatë periudhës që kam qenë aty vetëm që të kujdesej për mua. Menjëherë sapo jam larguar nga shtëpia e saj, ajo është operuar për vete. Është një gjë që rrallë kush e bën dhe është tezja e burrit që e ka emrin Mira. Njerëzit mund t’i kesh të largët në gjak, por mund të bëhen familje dhe mua ajo familje, më është bërë si një familje e imja. Nëse unë lutem për vete, lutem dhe për ata.

Kristiana tregon se vitin e kaluar tezja ka humbur një vëlla nga Covidi dhe e ka përjetuar shumë keq sepse nuk arriti të bënte diçka apo ta ndihmonte, për shkak të situatës që ishte.

Kristiana: Nuk është më ajo Mira që ka qenë, ka nevojë për mbështetje dhe do doja ta falënderoja duke i thënë se unë jam me ty për çdo gjë që të ketë nevojë që ta kalojë këtë situatë. /tvklan.al