Tensionet mes Kosovës e Serbisë u zhvendosën në Mynih, ku presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç morën pjesë në konferencën e sigurisë. Në qendër të debatit ishte pikërisht dialogu Prishtinë -Beograd. Në përpjekje për të sfumuar rolin e Kosovës, Vuçiç tha se kjo është një çështje mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Çështja kryesore për ne është se si do të zhvillojmë marrëdhënien mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk ka të bëjë me BE apo SHBA-të, ka të bëjë me ne dhe të ardhmen tonë. Jemi shumë të gatshëm të vijojmë dialogun, por po presim ata. Kam dëgjuar disa herë nga pala tjetër se do të heqin tarifat, por kjo ende nuk ka ndodhur. Nëse punojmë fort, unë nuk e refuzoj mundësinë e arritjes së kompromisit, por sot jemi fatkeqësisht shumë larg”.

Por një pozicion të tillë nuk nguroi ta hedhë poshtë presidenti Thaçi.

“Uroj që në javët apo muaj e ardhshëm të gjejmë një zgjidhje përfundimtare që do të ruante karakterin multietnik dhe që do mbyllte armiqësinë mes Kosovës dhe Serbisë, jo  mes shqiptarëve dhe serbëve. Sa i përket gjykatës për krime lufte, kush është dënuar për mijëra shqiptarë të vrarë nga Serbia, apo për 20 mijë gratë e përdhunuara nga aparati shtetëror i Serbisë. Nëse ka një viktimë ajo është Kosova”.

Me një ton të ashpër, Vuçiç akuzoi Prishtinën se nuk po respekton marrëveshjen e Brukselit, për krijimin e Asociacionit të komunave serbe, pasi kjo shkon kundër kushtetutës së Kosovës.

“Nuk na bëhet vonë për Kushtetutën e tyre sepse ne nuk e njohim shtetin e tyre. Siç atyre nuk u bëhet vonë për Kushtetutën tonë që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. Këtë nuk kuptojnë ata”.

Presidenti serb tha se vendi i tij po humbet 45 milionë Euro në muaj për shkak të tarifave dhe se ai po rrezikon shumë më shumë se karriera e tij politike në këtë çështje, por sërish është i hapur të dialogojë.

Komisioneri për Zgjerim Johanes Hahn, ftoi dy vendet për të arritur marrëveshjen finale, pasi siç tha ai, ky moment nuk duhet të humbet.

Tv Klan