Diskutohet për rikthimin e dialogut mes dy vendeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për bisedimet Prishtinë-Beograd dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

Pas takimit, Thaçi shkroi në Facebook se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump”.

Ai i tha Zërit të Amerikës se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor”.

Sipas Thaçit rëndësia e takimit është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes Kosovës dhe Serbisë, për vetë faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.

Të dy presidentët ndodheshin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Tv Klan