“Jam atje, me ty sonte për këtë ditëlindje të pamirëseardhur”

Kryeministri Rama ka shkruar një letër të ndjerë urimi për ditëlindjen e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që ndodhet në qelitë e paraburgimit në Hagë. Në letrën e tij, Rama thotë se provon dhimbje për pamundësinë për të dëgjuar zërin e Hashim Thaçit në telefon.

“Paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet, si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem”.

Dhe ndërsa kujton bisedat me Thaçin, Rama thotë se ai tashmë duhet të përballet me një mal të lartë me rrena që ia ka shënjuar fati.

“Kështu që ma fal nëse ky urim i imi, me gjithë shpirt, që edhe 100 vjet t’i kesh me shëndet e me kë të do zemra, nuk është dot një urim i buzëqeshur, por pash Zotin e madh, mos iu anko fatit tënd e as mos kërko kot ta dish se si mund të ishte ndryshe, sepse sado cinike të duket, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe që Kosova të buzëqeshë përsëri kur përsëri nata t’ia lerë vendin ditës së re!

Përqafime Hashim dhe jam atje, me ty sonte, kur të kujtosh dollitë e shkuara në familje, për këtë ditëlindje të pamirëseardhur nën tavanin e mallkuar!”

Ish-Presidenti i Kosovës aktualisht është në qelitë e paraburgimit në Hagë, ku po gjykohet për krime lufte gjatë periudhës kur UÇK mori kontrollin e territorit në Kosovë.

Tv Klan