U takuan secili më vete me shefen e diplomacisë europiane Federika Mogherini, që ndërmjetëson dialogun mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Por Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç nuk ulën në një tryezë të përbashkët në Bruksel.

Ishte presidenti serb që refuzoi takimin tripalësh me zonjën Mogherini me arsyetimin se Prishtina po mundohej të pengonte vizitën e tij në veriu e Kosovës. Dallimet mes palëve për marrëveshjen e normalizimit mbeten të thella. Megjithatë Thaçi theksoi se komunikimi me Vuçiçin ka ecur përpara përmes kryediplomates europiane.

“Kemi negociuar përmes Zonjës Mogherini. Për shkak të dallimeve të thella është e arsyeshme që të ndodhë në një kohë më të përshtatshme e më të volitshme”.

Molla e sherrit duket se është vizita e mundshme e presidentit Vuçiç në liqenin e Gazivodës. Ndonëse mohoi të ketë dijeni, Thaçi nënvizoi se duhet respektuar protokolli shtetëror.

“Itinerari i vizitës është i përcaktuar shumë më herët. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar vullnetin e mirë që Vuçiç t’i drejtohet qytetarëve të Kosovës”.

Ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli e cilësoi vizitën e Vuçiç në liqenin e Gazivodës të pakuptimtë, pasi atje nuk ka një qendër urbane. Por më pas Pacolli konfirmoi për mediat kosovare se Vuçiç do të shkojë në Gazivodë, pasi ka pasur presion nga BE për këtë.

Federica Mogherini tha se beson në angazhimin e plotë të të dy presidentëve për të vijuar punën për arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore. Takimi i ardhshëm mes dy presidentëve pritet të mbahet në dy javët e ardhshme. BE njoftoi se ai do të zhvillohet përpara javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e parashikuar në javën e fundit të shtatorit.

Tv Klan