Hashim Thaçi kthehet pas pyetjes në Hagë


Hashim Thaçi kthehet pas pyetjes në Hagë

18:18 17/07/2020

“Askush nuk mund të rishkruajë historinë”

Presidenti Hashim Thaçi u kthye në Kosovë pas 4 ditësh të gjata të marrjes në pyetje në Gjykatën Speciale të Hagës.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbërriti në Aeroportin e Rinasit në orën 17:00. Ai u nis menjëherë drejt Kosovës pa u prononcuar për medias rreth deklaratave të tij në Gjykatën Speciale të Hagës”.

Në pikën e kalimit kufitar të Morinës, Thaçi u prit nga qindra qytetarë që kishin dalë me flamuj kombëtare për të shprehur mbështetjen ndaj tij me thirrje për UÇK-në. Karvani i gjatë i makinave e ka ndjekur deri në Prishtinë.

Reagimin e vetëm e bëri në rrjetet sociale, ku shkroi se mbrëmjen e së shtunës do të flasë gjerësisht për 4 ditët e pyetjeve në Gjykatën Speciale dhe akuzat e ngritura. Ai përsëriti se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Këtë qëndrim Thaçi e theksoi edhe në dyert e Gjykatës Speciale në nisje dhe në përfundim të marrjes në pyetje.

Thaçi nuk ka dhënë detaje për temat konkrete për të cilat ka dhënë shpjegime, por konfirmoi se nuk ishte pyetur asnjëherë për historinë e Shtëpisë së Verdhë të trafikut të organeve, apo për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Ndaj tij dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli, prokurori special ka ngritur akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit për mbi 100 vrasje të kryera gjatë dhe pas luftës.

Për akuzat tashmë i takon gjykatësit të vendosë. Ai ka afat deri në 24 Tetor të vendosë hapjen e një procesi gjyqësor apo për refuzimin e akuzave. Thaçi ka paralajmëruar dorëheqjen si president, nëse gjykatësit do të hapin çështje ndaj tij.

Tv Klan




Të ngjashme