Marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e sheh si një shembull që duhet ndjekur edhe nga Kosova e Serbia. Gjatë takimit me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev në Shkup, Presidenti i Kosovës e konsideroi të vështirë dialogun me Beogradin. Por synimi i tij është që marrëveshja të jetë në përputhje të plotë me frymën europiane në interes të të gjithe rajonit.

“Do ta ruajmë multietnicitetin në Kosovë dhe Serbi. Nuk do të ketë zgjidhje mbi baza etnike. Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje që cënon miqtë tanë, as Maqedoninë, as Shqipërinë, as Malin e Zi. Por do jetë një marrëveshje e koordinuar me BE dhe SHBA”.

Thaçi u bëri thirrje maqedonasve ta mbështesin marrëveshjen me Athinën në referendumin e 30 Shtatorit, ndërsa Kryeministri Zoran Zaev shprehu mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mbështesim zgjidhjen që do të forcojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejt integrimit euro-atlantik”.

Thaçi u takua edhe me kreun e partisë më të madhe të shqiptarëve, Bashkimit Demokratik për Integrim. Ndër të tjera, Ali Ahmeti shprehu mbështetjen për propozimin për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se është një proces që nuk rrezikon stabilitetin e Ballkanit”.

Tv Klan