“Ekipi negociator është pajtuar me propozimin tim që më 8 Janar ata të jenë në Bruksel dhe unë në Brezovicë për ski”.

Me këtë mënyrë Hashim Thaçi zgjodhi të përcjellë mesazhin se dialogu me Serbinë nuk varet më vetëm prej tij, por nga ekipi i ri negociator. Një ekip që i tregon Beogradit dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtar se Kosova është unike në qëndrimet e saj në dialog.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:

Tani është ekipi negociator i votuar nga Parlamenti i Kosovës që ka fituar një legjitimitet të fuqishëm. Ky ekip negociator e ka pasur, e ka dhe do t’a ketë mbështetjen time të plotë.

Thaçi ishte i pranishëm gjatë mbledhjes me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilëve ekipi i ri u prezantoi platformën e re të dialogut, me pikat kryesore njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e vendit në OKB.

Fatmir Limaj, kryenegociator për Kosovën:

Ambasadorët shprehën mbështetjen e plot. Të gjithë shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Kosovën në këtë hap të rëndësishmë final që do të sillte një marrëveshje të rëndësishme obliguese për dy vendet.

Teksa Shtetet e Bashkuara kanë marrë një rol më aktiv në nxitjen e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, siç tregoi edhe letra që shefi i Shtëpisë së Bardhë u dërgoi presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, e përditshmja serbe Danas shkruan se zv/ndihmës sekretari i shtetit Palmer do të ketë rol kryesor në vazhdim të dialgout mes dy vendeve.

Tv Klan