Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka konsideruar zhgënjyese konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që kanë pritur datën e nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova ka pritur rezultate minimale.

“Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës. Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”, është shprehur ai.

Ai iu ka bërë thirrje liderëvë institucionale dhe atyre të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën në të cilën gjendet aktualisht Kosova, pasi sipas tij “izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund”.

Në konkluzionet e Komisionit Evropian sa i përket procesit të zgjerimit është thënë se ky trup është në dijeni që procesi i liberalizimit të vizave është proces i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, mirëpo vendimi për të finalizuar këtë proces është ende në fazën e shqyrtimit.

Aty është kërkuar edhe që të fillojë sa më shpejt dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili realizohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në këtë dokument është thënë po ashtu se Këshilli ndjen keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënie të tarifave 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës, duke e konsideruar këtë hap si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe shpirtit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila njëherësh është marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Këshilli Evropian nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit.

Shqipërisë i është dhënë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2014 derisa Maqedonisë së Veriut më 2015./REL