Teksa zërat për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës po bëhen edhe më të shpeshta, presidenti kosovar Hashim Thaçi i shprehu homologut amerikan Donald Trump, angazhimin e tij për të bindur atë pjesë të klasës politike kosovare që po vështirëson arritjen e kësaj marrëveshjeje. Këtë e bëri të qartë në një letër që Thaçi i dërgoi shefit të Shtëpisë së Bardhë në përgjigje të mesazhit që mori nga Tramp më 14 Dhjetor të vitit të kaluar.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:

Do u apeloj bashkëqytetarëve të mi kosovarë që të ndjekin thirrjen që keni bërë në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.

Ajo çka e ka lënë pezull dialogun për marrëveshjen përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit është vendosja e taksës 100% për importet serbe. Kryeministri Haradinaj vijon të jetë i bindur se Kosova nuk ka pse tërhiqet pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës:

Kushdo që ka probleme, si i brendshëm si i jashtëm me këto kërkesa del kundër të drejtës tonë e kushtetutës tonë.

Përballë kërkesës së Shteteve të Bashkuara, kreu i kuvendit Kadri Veseli duket se është tërhequr dhe kërkon pezullim të përkohshëm prej 4 muajsh të taksës.

Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës:

Mënyra e ballafaqimit me një partner i cili është garant i sovranitetit dhe territorialitetit të këtij shtetit tonë nuk besoj se i bën hajër Kosovës.

Veseli kërkon që me pezullimin e përkohshëm të taksës, të verë në provë vullnetin e Serbisë për dialog.

Tv Klan