Fton partitë politike për diskutime pas largimit të qeverisë Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi informoi disa nga ambasadorët e vendeve Perëndimore në Kosovë për hapat që do të ndërmarrë pas rrëzimit të qeverisë Kurti.

Sipas njoftimit për media, Thaçi u ka thënë ambasadorëve se “pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës më 25 Mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President”.

Sipas tij, gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cila rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se do të vendosë “për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur, pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës”.

Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Zyra për Informim e Presidencës ka konfirmuar për Tv Klan se Presidenti u ka dërguar liderëve të partive politike ftesa për takime që pritet të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten.

Presidenti  edhe javën e kaluar kishte paralajmëruar nisjen e konsultimeve me partitë parlamentare në përpjekje për ta krijuar qeverinë e re.

Megjithatë LVV-ja e cila është fituese e zgjedhjeve, ka bërë të ditur se nuk do t’i përgjigjet Presidentit duke preferuar zgjedhjet e parakohshme. 

Tv Klan