“Nuk kam kryer krime lufte”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i është adresuar popullit për herë të parë me një videomesazh pas aktakuzës së bërë publike javën e kaluar nga Zyra e Prokurorit Special në lidhje me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kreu i shtetit kosovar tha se do të konsultohet me liderët politikë në të ardhmen për hapat e mëtejshëm. Thaçi deklaroi se nëse vërtetohet aktakuza, ai do të japë dorëheqjen për t’u përballur me drejtësinë.

“Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë. Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

“Nuk shkuam në luftë për zgjedhje, por për të jetuar të lirë ose për të vdekur për liri”, tha ndër të tjera Thaçi, duke shtuar se duhet zbardhur çdo pretendim dhe akuzë për krime lufte.

Thaçi tha se së bashku me Veselin do të vërtetojnë që janë të pafajshëm dhe se akuzat janë veçse fabrikime të ulëta, njësoj siç kanë ndodhur më parë me bashkëluftëtarët e tij.

Hashim Thaçi u shpreh se do të kishte bërë të njëjtën gjë sikur të kthehej sërish në kohën e Slolobodan Millosheviçit, por kurrë nuk ka vrarë qytetarë serbë, romë apo shqiptarë të pafajshëm.

“Duhet të zbardhet çdo pretendim dhe akuzë prej krime lufte. Bashkëluftëtarët e mi, me disa të cilët i kanë sfiduar fabrikimet e ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë me mua dhe vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli. Të dashur qytetarë, gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa në kohën e zezë të Millosheviçit do të bëja të njëjtën gjë duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri duke mos iu hyrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar”, tha Thaçi.

Kreu i shtetit kosovar i ktheu përgjigje edhe akuzës se ka dashur të pengojë ngritjen e Gjykatës Speciale në Kosovë. Ai u shpreh se i ka mbështetur këto iniciativa prej dy dekadash.

“Mbi dy dekada i kam mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare. Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot, kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me votë. Në atë kohë, kishim përballë vetëm dy rrugë. Njëra të cilës i kam besuar tërë jetën e i besoj edhe sot – ecjes përpara në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian; Dhe e dyta që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kanë ndikim të fuqishëm vendet që e kundërshtojnë shtetin e Kosovës. Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës. Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike. Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keqinformuar dhe në rastin më të keq është tendencioz”.

Ndryshe vijon të ndodhë me Serbinë tha Thaçi, sipas të cilit ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim europian ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.

“E në anën tjetër në Serbi ka rënë heshtja e varrit për krimet e luftës.. A mos vallë duhet të presim edhe ditën kur të na thuhet se duhet t’i kërkojmë falje Serbisë për të zhdukurit tanë, për nënat e motrat tona ta përdhunuara, për spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër nesh?! Kjo pyetje absurde lind natyrshëm pasi askujt në Serbi më nuk i kërkohet llogari për krime te luftës”.

Presidenti kosovar nuk di të thotë nëse publikimi i aktakuzës para takimit në Shtëpinë e Bardhë ishte rastësi apo intrigë, por që nuk ia cënojnë vlerat që përfaqësojnë SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë për të dhe kosovarët.

“Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh. Asnjë krim i supozuar apo edhe i kryer nga kushdo, nuk e justifikon linçimin publik. Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës,pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë. Cilës drejtësi i intereson kjo ngutje e rrufeshme dhe kjo shkelje flagrante e rregullave të një procesi të drejtë e të pavarur gjyqësor? Kjo pyetje do të duhet shtjelluar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

/tvklan.al